Shqipëria ndez “motorët”, Sylvinho “shtrydh” legjionarët, Daku dhe Hoxha projektohen titullarë (VIDEO)
Të parashikosh Sylvinho-n tani është shumë e vështirë, aq më tepër kur bëhet fjalë për një test miqësor si sfida kundër Lihtenshtejnit. Është e qartë që në këto ditë grumbullimi dhe në dy miqësoret që ka në dispozicion gjatë muajit qershor, trajneri i Kombëtares do të shoh në aksion pjesën më të madhe të legjionarëve për të krijuar një ide më të qartë mbi formacionin apo grupin e lojtarëve bazë që do të tentojë mrekullinë në “Euro2024”.
Nga porta deri në mesfushë dilemat nuk janë të shumta. Në portë diskutimi mbetet i njëjtë, Strakosha apo Berisha, për momentin, Strakosha është i avantazhuar, pasi Berisha nuk është rikuperuar plotësisht nga dëmtimi.
Këto ditë të para, në mungesë të Gjimshitit, Sylvinho ka provuar në qendër dyshen Ismajli-Mihaj, kjo edhe për faktin se Ajeti dhe Kumbulla nuk janë në formën më të mirë. Në të djathtë, Hysaj mbetet fiks, ndërsa në të majtë këto ditë Sylvinho ka testuar Naser Alijin edhe pse është e qartë se në “Euro2024” ky vend është i hipotekuar nga Mario Mitaj.
Mesfusha nuk preket, as në teste miqësore, të paktën ky perceptim është krijuar, me Asllanin-Ramadanin dhe Nedim Bajramin që kanë krijuar një lidhje të fortë ndërmjet tyre.
Asani në të djathtë të sulmit pritet të zbres edhe ndaj Lihtenshtejnit si titullar pasi i duhen minuta në këmbë, ndërsa në të majtë, për momentin Arbër Hoxha duket favorit pasi po kalon një formë të shkëlqyer. Në majtën e sulmin, Sylvinho ka provuar këto ditë Mirlind Dakun, por dhe Broja është parë i karikuar në maksimum.
()