Mon, Nov 25, 2024

Vazhdon eksodi tek Erzeni, një tjetër titullar shpall “divorcin” pas eksperiencës 2-vjeçare

  • PublishedJune 3, 2024

Erzeni dhe Kukësi ishin dy ekipet që në përfundim të sezonit të rregullt futbollistik zbritën nga Superiorja në Kategorinë e Parë. Momentalisht situata te skuadra shijakase është e mbuluar me një tymnajë, pasi askush nuk mund të flasë me siguri se kush do të jetë Erzeni i edicionit 2024-2025.

Për momentin të kampin shijakas flitet vetëm për largime dhe gjatë ditës së djeshme është zyrtarizuar edhe “divorci” i radhës. Nga radhët e skuadrës është larguar portieri Klevis Hasanbelli, që i kështu i jep fund eksperiencës dyvjeçare tek Erzeni. Ka qenë vetë “gardiani” ai që përmes një postimi në profilin e tij në rrjetet sociale lajmëroi për largimin.

Sipas tij, rrugëtimi te skuadra shijakase erdhi drejt fundit, kështu që del lojtar i lirë dhe në vijim pritet të mësohet se cili do të jetë destinacioni i radhës për 26-vjeçarin. “Për 2 vite kam qenë lojtar i ekipit të Erzenit. Këtij rrugëtimi i ka ardhur fundit sot (dje) dhe jam një lojtar i lirë. I falënderoj të gjithë çunat për sakrificë që kanë bërë.

Gjithashtu, falënderoj edhe stafin dhe presidencën, pa harruar këtu tifozërinë e zjarrtë. I uroj ekipit të Erzenit sa më shpejt ngjitjen në Superiore”. Ky ishte mesazhi i lamtumirës i ish-portierit të Erzenit, Klevis Hasanbelli.

AlbaniaWeb.net