Avokatët në Gjykatën e Durrësit vazhdojnë bojkotin/ Pas takimit mes palëve, pritet të merret një vendim për zgjidhjen e ngërçit
Bojkoti i avokatëve në Gjykatën e Durrësit vazhdon edhe këtë të martë, ndërkohë që pas një takimi të bërë mes palëve, pritet të merret një vendim që do të zgjidhë ngërçin e krijuar në gjykatën më të madhe në vend pas asaj të Tiranës.
Që nga e hëna, Dhoma Vendore e Avokatisë Durrës dhe anëtarët e saj kanë nisur bojkotimin e të gjitha seancave gjyqësore penale dhe civile me përjashtim të seancave për masat e sigurisë. Vendimi u mor pasi për shkak të pamjaftueshmërisë së ambienteve dhe numrit të lartë të personave që qarkullojnë në to, Gjykata e Durrësit kishte vendosur që avokatët të prisnin jashtë ambienteve të saj deri në orarin e nisjes së seancave gjyqësore. Ky vendim u vlerësua denigrues dhe arbitrar nga ana e avokatëve, të cilët deklaruan se u ky vendim gjithashtu cenon dhe barazinë mes palëve në proceset penale, duke marrë parasysh aksesin e prokurorëve në godinë.
Në orët në vazhdim, pritet të merret një vendim konkret në lidhje me situatën, ndërsa në takimin e zhvilluar në gjykatë mësohet nga kreu i DHVA Durrës Lorval Petani se ka pasur një dakordësi mes tyre.
Me kalimin në gjykatë të Juridiksionit të Përgjithshëm, Gjykata e Durrësit ka shtuar volumin e punës dhe nevoja për një godinë të re, e cila ka qenë dhe para reformës në drejtësi, sipas drejtuesve të saj është kthyer në emergjente. Kjo gjykatë ka kërkuar që ish-godina e Apelit në Shkozet të vihet në dispozicion të saj pas rikonstruksionit, deri në zgjidhjen përfundimtare të një ndërtese të re.
AlbaniaWeb.net