Kërcënuan me thikë dy të huaja dhe u grabitën telefonat, procedohet 16-vjeçari, shpallet në kërkim një tjetër
Dy të rinj nën kërcënimin e armës kanë grabitur dy telefona të dy shtetasve të huaja. Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Islam Alla” në kryeqytet.
Uniformat blu bëjnë me dije se 2 autorët janë identifikuar dhe se njëri prej tyre 16-vjeç është proceduar penalisht. Ndërsa autori tjetër, 18-vjeçari E.L., është shpallur në kërkim.
NJOFTIMI:
Tiranë/Vijon puna për goditjen e veprimtarisë kriminale të vjedhjes së pronës dhe pasurisë.
I vodhën celularët dy shtetaseve të huaja, duke i kanosur me mjet prerës, identifikohen 2 autorët e dyshuar.
Procedohet penalisht njërj prej tyre, tjetri shpallet në kërkim.
Sekuestrohen 3 aparate celulare dhe 1 automjet.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Nr. 3, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërive në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, identifikimin e autorëve dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, pas njoftimit të marrë për një vjedhje me dhunë, në rrugën “Islam Alla”, kanë organizuar menjëherë punën për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Falë veprimeve të shpejta profesionale u bë i mundur identifikimi i 2 autorëve të dyshuar, procedimi në gjendje të lirë i njërit prej tyre, shtetas 16 vjeç, banues në Tiranë, dhe shpallja në kërkim e tjetrit, shtetasit E. L., 18 vjeç.
Këta dy shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, mbrëmjen e djeshme, i kanë marrë celularët dy shtetaseve të huaja, duke i kanosur me mjet prerës (thikë), dhe më pas janë larguar me automjet.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 aparate celulare dhe 1 automjet.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–