“PSG-ja më dhunoi”/ Mbappe: Jam i lumtur që do shkoj tek Real Madrid
Sulmuesi më i ri i Real Madridit, Kylian Mbappe, gjatë një konference për mediat në Franë sulmoi ashpër ish-klubin e tij, Paris Saint-Germain. 25-vjeçari më në fund u shpall si një yll i Los Blancos të hënën në mbrëmje, dhe në fjalët e tij të para publike si madrilen ai kritikoi PSG-në dhe se si e ndërlikoi largimin e tij në Spanjë. I pyetur për një periudhë kur ai u dërgua të stërvitej me rezervat pasi refuzoi të rinovonte kontratën e tij, Mbappe tha:
“Ata më bënë të kuptoj se nuk do të luaja për PSG-në dhe në klub ma thanë me dhunë këtë gjë. Pa trajnerin kryesor Luis Enrique dhe Këshilltarin e Futbollit Luis Campos nuk do të kisha vendosur këmbë në fushë”, tha ai.
“Ka shumë presion, por është vetëm futbolli dhe ka gjëra më serioze në jetë. Gjithmonë e kam pasur këtë edukim për të mos bërë viktimën”, tha Mbappe.
“Paguhem shumë për të luajtur futboll dhe për të bërë atë që kam pasion, ndërsa disa ngrihen për të shkuar në një fabrikë dhe për të bërë punë krahu. Unë vazhdoj të them se atë që kam kaluar nuk do t’ia uroja askujt, kështu që e shoh të papërshtatshme të vij dhe të ankohem kur shoh se çfarë po ndodh. Ka gjëra shumë më të këqija në botë”, shtoi ai gjatë fjalës së tij në konferencë.
Megjithatë, më në fund ikja nga PSG ishte një “lehtësim i madh”.
“Është një lehtësim i madh, jam shumë i lumtur, mendoj se mund ta shihni në fytyrën time. Kam luajtur shumë më pak në fund të sezonit dhe të gjithë e dinë pse. Është kështu, duhet të përshtateni kur jeni lojtar i nivelit të lartë”, tha ai ndër të tjera.
Mbappe e nisi konferencën për shtyp duke theksuar se të gjithë ndoshta e kishin parë lajmin dhe nëse nuk e dinin tashmë, ai deklaroi se “do të jetë lojtar i Real Madridit për të paktën pesë sezonet e ardhshme.”
“Është një kënaqësi e madhe, një ëndërr e realizuar”, tha Mbappe.
“Jam shumë i lumtur, i çliruar dhe i lehtësuar dhe shumë krenar që shkoj në këtë klub të madh, më i miri në botë”, shtoi ai.