GJKKO jep masën ‘arrest në burg’ për Fredi Belerin, avokati: Nuk ka dyshim të arsyeshëm, do të ankimojmë në Apel
GJKKO ka dhënë masën ‘arrest në burg’ për kandidatin fitues të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Himarës, Fredi Belerin.
Gjatë një komunikimi për mediat, avokati i tij ka thënë se nesër do të ushtrojnë të drejtën e ankimimit.
“Ne pretendojmë që nuk ka dyshim të arsyeshëm dhe nuk duhet të vendoset masë sigurimi për të dy. Nuk paraqitën asnjë provë, por lexuan atë që paraqitën prokuroria e Vlorës, në paraqitëm prova shëndetësore. Policisë ia ka dhënë po ky i infiltruari, por në dosjen e policisë dhe prokurorisë nuk gjendet kjo listë. Ta marrin ta ripyesin këtë person sepse i arrestuari pretendon se nuk i ka dhënë asnjë gjë”, ka deklaruar avokati.
***
Siç u tha dhe më herët, Beleri u transferua nga paraburgimi i Vlorës në paraburgimin e 313 në Tiranë, ndërsa ai mbrohet nga avokatët, Edmond Dema dhe Geni Gjyzari.
Beleri u arrestua dy ditë para zgjedhjeve të 14 majit me akuzën për korrupsion zgjedhor. Miku i Blerit, Pandeli Kokoveshi, i cili u arrestua bashkë me të është ende i shtruar në QSUT për shkak të problemeve me zemrën.
Beleri u arrestua me 12 maj, ndërsa ishte denoncuar në Prokurori nga një person, i cili kishte treguar se i ishin ofruar para për vota. Sipas prokurorisë, ai iu premtonte qytetarëve se në këmbim të votës do t’i përfshinte në skema për përfitimin e shtetësisë greke dhe të pensionit nga shteti grek.
Ndërsa përmes bashkëpunëtorëve të tij dyshohet se paguante shuma nga 50 deri në 200 euro për një votë në favor të tij. Kështu thuhet në dosjen hetimore të prokurorisë së Vlorës, e cila vendosi arrestimin e Belerit, pak ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit, gjë që nuk e pengoi Belerin të votohej si kryetar i Bashkisë së Himarës me 19 vota në favor kundrejt kandidatit socialist Jorgo Goro.
Në dosjen hetimore, thuhet se hetimi ndaj Belerit dhe bashkëpunëtorëve të tij nisi me 8 maj, pasi u siguruan të dhëna se këta shtetas merrnin para nga kandidati Beleri dhe ua shpërndanin qytetarëve, që ata të votonin për kandidatin e koalicionit bashkë fitojmë.
S.G një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të Belerit merrte para nga kandidati dhe ua jepte personave të tretë që kishte rekrutuar me qëllim blerjen e votave. Pas nisjes së hetimit, shtetasi A.R ka pranuar të bashkëpunojë me prokurorinë, pasi ka deklaruar se nga Fredi Beleri dhe anëtarë të shtabit të tij elektoral, i ishin ofruar para që ai ti përdorte për blerjen e votave tek votues në Bashkinë e Himarës.
Prokuroria ka vendosur të lejojë përgjimin e fshehtë audio dhe video duke dokumentuar të gjitha takimet e bashkëpunëtorit me Belerin dhe persona të tjerë të përfshirë në shitblerjen e votës. Nga hetimet rezulton se në 10 maj i infiltruari është takuar me Belerin dhe kanë rënë dakord që ai të mblidhte emrat e personave që do të votonin për të, dhe t’ia dorëzonte atij këtë listë.
Po atë ditë, A.R e ka çuar listën ne zyrën elektorale të Belerit dhe ja ka lënë sekretares. Pas këtij momenti e ka telefonuar kandidatin për ta informuar dhe Fredi Beleri i është përgjigjur se do ta verifikonte listën.
Ata janë takuar sërish dhe kanë biseduar për listën prej 13 personash dhe shumën e parave që do të përfitonin jo vetëm ata që do të votonin pro tij por edhe bashkëpunëtorit. Ne këtë bisedë, thekson prokuroria, Beleri i ka premtuar të infiltruarit se do të paguante shumën prej 50 euro për person dhe 300 euro për të, nëse do të bindej nga sipas verifikimeve se vota ushte hedhur pro tij. Ndërsa i ka thënë se paratë do t’ia jepte po atë natë në darkë ose të nesërmen në mëngjes.
Një ditë më pas, ata janë ritakuar dhe bashkëpunëtori e ka pyetur Belerin nëse paratë do t’ua jepte vetë, por ai e ka orientuar të takohet me Pandeli Kokaveshin. Ky i fundi i pasi i ka hequr telefonin dhe vendosur tek banaku i lokalit i ka thëne që 4 nga personat në listë i ka kontaktuar ai më herët, ndërsa për 8 të tjerë i ka dhënë afër tualetit 40.000 lekë në total, nga 50 mijë lekë të vjetra për secili votues. pas këtij momenti policia ka ndërhyrë duke arrestuar Belerin dhe Kokaveshin.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–