“E kënaqur me performancën e KLP”, Mirela Bogdani zgjidhet kryetare
Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP zgjodhi të premten më 7 qershor si kryetare, anëtaren nga radhët e shoqërisë civile, Mirela Bogdanin. Nënkryetari Tartar Bazaj deklaroi në fillim të seancës, se mbledhja ishte thirrur nga katër anëtarë të këshillit dhe se për pozicionin e kryetarit të mbetur bosh pas largimit të Alfred Ballës, kishte shprehur interes vetëm anëtarja Mirela Bogdani, e cila kishte paraqitur dhe platfomën e saj.
Më 27 maj, KLP deklaroi mbarimin e mandatit të Alfred Ballës si anëtar i këtij këshilli, pas vendimmarrjes së Kolegjit të Posaçëm të Apelimit që e përjashtoi atë për 15 vjet nga institucionet e drejtësisë. Balla i cili mbante pozicionin e kryetarit të KLP-së, u përjashtua pasi sipas KPA, ai iu shmang procesit të rivlerësimit.
Anëtarja Nurihan Seiti shprehu në fillim të seancës mendimin e saj se, për thirrjen e mbledhjes për zgjedhjen e kryetarit të ri me urgjencë, mund të ngriheshin pikëpytje. Ajo solli në vëmendje praktikat e mëparshme të KLP, kur u është dhënë kohë për të paraqitur platformat edhe kandidatëve të tjerë.
Megjithatë mbledhja vijoi dhe Bogdani paraqiti në mënyrë të përmbledhur shtyllat e platformës së saj për drejtimin e KLP-së. Ajo tha se synonte që të krijont një frymë kolegjialiteti, me qëllim që këshilli të drejtohej nga të 11 anëtarët. Po ashtu, shtoi se synonte të përmirësonte infrastrukturën e prokurorive, procedurat e rekrutimit të nëpunësve civilë; të forconte bashkëpunimin me Inspektorin e Lartë të Drejtësisë, si dhe me Shkollën e Magjistraturës.
Tjetër plan i paraqitur prej Bogdanit ishte rishikimi i rregullores, që të mund t’i jepet vëmendja e duhur etikës së prokurorëve dhe që të zhvillohet aftësia e prokurorëve për marrëdhëniet me publikun.
Pas interesimit të Seitit lidhur me rishikimin e rregullores, Bogdani tha se kjo nevojë ka lindur si pasojë e komunikimeve me prokurorët. Ajo tha se e ndjen të nevojshme që këshilli të jetë në terren e të zhvillojë mbledhje me prokurorët.
Pas paraqitjes nga Bogdani të përmbledhjes së platformës së saj, anëtari Zeqir Hodaj vërejti se nëse do të duhej që kryetarja ta kryente punës si duhej, nuk mund të ishte e barabartë me anëtarët. Ai pyeti Bogdanin se çfarë garancish u jepte prokurorëve që të garantonin mirëfunksionimin e sistemit të menaxhimit të çështjeve. Po ashtu, e pyeti nëse kishte evidentuar diçka që nuk kishte shkuar mirë në këshill.
Bogdani tha se duhej mbështetur dhe vendosur në funksion sa më shpejt sistemi i integruar i menaxhimit të çështjeve. Megjithëse vërejti se është kompetencë që lidhet me Prokurorinë e Përgjithshme, Bogdani tha se këshilli duhet të japë ndihmën e tij për këtë sistem të regjistrimit të çështjeve penale, deri në momentin që shkojnë në gjykatë.
Për pyetjen tjetër, ajo tha se si çalim në KLP mund të ishte mungesa e një kalendari për ndjekjen e çështjeve që trajtohen. Në vijim u shpreh se ishte e kënaqur me performancën e deritanishme të këshillit dhe të anëtarëve. “Mendoj se duhet te rrisim performanceën, por jo se ka munguar”, tha Bogdani.
Në përfundim ajo solli në vëmendje rregulloren për marrëdhënien me mediat. Bogdani vërejti se kishte votuar kundër akreditimit të gazetarëve. Duke e cilësuar si një çështje që do adresohej në këshill, Bogdani shprehu vlerësimin e saj se gazetarët dhe shoqëria civile duhet të marrin informacion në kohë reale lidhur me veprimtarinë e KLP-së.
Të 10 anëtarët e KLP, përfshi dhe vetë Bogdani, votuan njëzëri emërimin e saj në pozicionin e kryetares.
Sipas jetëshkrimit të pasqyruar në faqen online të KLP-së për Bogdanin, ajo mban titullin Profesore e Asociuar. Ajo ka përfunduar studimet në Fakultetin e Drejtësisë, Universitetit të Tiranës në vitin 2000 dhe më pas ka ndjekur të gjitha programet e kualifikimit akademik pranë këtij institucioni, ku përfshihet programi i Masterit Shkencor në të Drejtë Publike në vitin 2003, Masteri Profesional të në Drejtë Biznesi në 2009-ën, Doktoraturë në fushën e administrimit të zgjedhjeve në vitin 2011 dhe marrja e titullit Profesor i Asociuar në 2013-ën.
Nga viti 2012 e në vijim është angazhuar nga Shkolla e Magjistraturës në Programin e Trajnimit Fillestar në lëndën Klinika Ligjore, si specialiste shkencore, që së bashku me grupin e mentorëve drejtojnë magjistratët në hartimin e memorandumeve ligjore pro bono për institucionet e larta të drejtësisë si Gjykata Kushtetuese, Gjykata e Lartë, Prokuroria e Përgjithshme, Gjykatat Administrative, etj.. Që nga viti 2012 e në vijim është pika e kontaktit për Programin HELP të Këshillit të Evropës – Human Rights Education for Legal Professionals/Edukimi Ligjor i Profesionistëve të së Drejtës dhe nga viti 2021 anëtare e Bordit Këshillimor të HELP me një mandat 2 vjeçar.