Tue, Nov 26, 2024

Raporti i KLGJ pritet me kritika në Kuvend

  • PublishedJune 7, 2024

Raportimi vjetor i Këshillit të Lartë Gjyqësor, KLGJ, në Kuvend u prit me kritika të premten në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku deputetë nga dy krahët e politikës kërkuan më shumë përgjegjëshmëri nga ky organ i lartë i sistemit të drejtësisë në menaxhimin e çështjeve të prapambetura dhe zbatimin e hartës së re gjyqësore.

Deputeti rezervoi kritika për punën e KLGJ-së dhe e nisi ndërhyrjen e tij me evidentimin e faktit se kryetarja ishte në tejkalim të mandatit të saj, pasi procesi i zgjedhjes së anëtarëve të rinj në dy këshillat ka tejkaluar me 6 muaj afatet ligjore.

“Prania e zonjës Llagami këtu ngre një shqetësim që lidhet me faktin se duke vlerësuar se KLGJ dhe KLP janë dy institucionet më të rëndësishme që garantojnë qeverisjen e sistemit, është një fakt që një e katërta e dy këshillave janë me mandat të përfunduar,” tha Xhafaj duke shtuar se kjo gjë “nuk është fare serioze”.

Më tej deputeti socialist, i cili ka drejtuar komisionin e posaçëm për reformën në drejtësi, i tha Llagamit se në raportin e saj nuk shihte reflektim dhe modesti nisur nga fakti që perceptimi i publikut sugjeron se vetëm 40% e tij beson te pushteti gjyqësor në krahasim me organe si Prokuroria e Posaçme, , e cila gëzon 70% besueshmëri.

Xhafaj rrjeshtoi një sërë vërejtjesh, për menaxhimin e integruar të çështjeve, që e cilësoi mungesë aftësie dhe mungesë kordinimi me institucionet, unifikimin e praktikës gjyqësore, etj., dhe u ndal tek kërkesat për mbështetje financiare nga qeveria.

“Ju e lidhni integritetin dhe pavarësinë tuaj vetëm me financimin?”- pyeti ai Llagamin, duke iu referuar një paragrafi në raport, ku kërkohej rritje e fondit të buxhetit dhe “ushtim presioni ndaj pushtetit ekzekutiv e lokal” për të vënë në dispozicion trojet për godinat e reja të gjykatave.

Llagami tha se ishte e ndërgjegjshme që ishte duke qëndruar në detyrë jashtë afatit ligjor, por shtoi se ishte e kënaqur që mundi ta bënte këtë raportim për të bërë një analizën e punës 5 vjeçare.  “Duhet të kuptojmë se ku ishim dhe ku jemi sot,” iu drejtua ajo Xhafajt, duke cilësuar si “punë kolosale atë që ishte bërë”.

Duke u përgjigjur për problematikën financiare, ajo tha se pavarësisht se KLGj kishte pavarësi, i duhej kjo mbështetje për strategjitë dhe reformat.

“…Po nuk pati bashkëpunim me Kuvendin, me qeverinë, për mbështetjen financiare KLGJ nuk mund të bëjë dot gjë, zoti Xhafaj” tha ajo, duke shtuar se kjo është një kërkesë e vazhdueshme e saj në komision.

Zbatimi i hartës së re gjyqësore ishte një ndër pikat ku u fokusuan diskutimet në komision.

Ndërsa KLGJ vuri në dukje mungesën e mbështetjes financiare dhe me troje për godinat e reja nga ana e qeverisë qendrore dhe lokale, deputetë të opozitës e cilësuar një dështim zbatimin e hartës.

Nënkryetarja e Komisionit, deputetja e PD-së, , pretendoi se “harta gjyqësore është e dështuar sepse nuk ka pasur asnjë strategji”.

“Po ju u vutë në dispozicion të ekzekutivit për të bërë hartën dhe sot jemi në një situatë të dëshpëruar,” iu drejtua ajo Llagamit, duke shtuar se “KLGJ nuk është çështje zyrash e godinash, po është krijuar për t’u dhënë akses qytetarëve në gjyqësor”.

Sipas Çupit, problematika më e madhe mbeten dosjet e pashqyrtuara të qytetarëve dhe mungesa e aksesit në sistemin e drejtësisë.

Sipas kryetares së KLGJ-së, viti i parë i zbatimit të hartës ka konkluduar se vetëm katër gjykata janë në nevojë me çështjet e mbartura, por se KLGJ kishte gati një plan masash se si do të ndërhyhet dhe se për këtë kërkonte mbështetjen e Kuvendit.

Raportimet e institucioneve të pavarura në Komisionin e Ligjeve janë një procedurë e përvitshme e Kuvendit, i cili më miraton rezoluta me rekomandime për të cilat këto institucione duhet të raportojnë vitin pasardhës.