6 gola të shënuar, shkëlqen faza ofensive, Shqipëria, kundërsulmi kthehet në “armë”
2 fitore, 6 gola të shënuar, 1 i pësuar. Ky është bilanci i Shqipërisë në dy miqësoret e muajit qershor, me ekipin kuqezi që spostohet tani në Gjermani, për të zhvilluar një tjetër minifazë përgatitore. Ndaj Azerbajxhanit shihej si një provë gjenerale në funksion të sfidës me Italinë, të parën në “Euro2024”. Sylvinho hodhi në fushë formacionin e tij më të mirë, të paktën ky është perceptimi i krijuar, madje lejoi azerët të kishin kontrollin e topit, 60% në favor të tyre.
Kuqezinjtë luajtën në kundërsulm, nga një i tillë në minutën e 11-të, Nedim Bajrami me një goditje shumë të bukur nga distanca kaloi Shqipërinë në avantazh. Për fat të keq, ndryshe nga miqësorja kundër Lihtenshtejnit, Broja dhe Jasir Asani nuk u ndezën në asnjë moment duke bërë që Sylvinho t’i linte në dhomat e zhveshjes me fillimin e pjesës së dytë, në vend të tyre u aktivizuan Arbër Hoxha dhe Rey Manaj.
Azerët shtuan edhe më shumë presionin në zonën e Shqipërisë, madje goditën 4 herë kuadrat, me Strakoshën që tregoi një formë të shkëlqyer. Në të minutën e 81-të, me një zbritje të bukur në sulm, Naser Aliji ktheu një top të bukur në qendër, me Rey Manaj që goditi menjëherë kuadratin, me topin që u devijua duke përfunduar në rrjetë. Më në fund, edhe “bomberi” i Sivassport arrin të lë gjurmë me fanellën kuqezi, të paktën në këto dy teste shihet nga Sylvinho si zëvendësuesi i parë i Brojës, ndërsa Mirlind Daku nuk u aktivizua asnjë minutë në këto dy miqësore.
6 minuta më pas, Nedim Bajrami me një aksion personal shumë të bukur dhuroi një assist të pastër për Qazim Laçin i cili me një veprim shumë të bukur në zonë trefishoi shifrat. Për fat të keq, në fund, azerët ngushtuan shifrat në 3-1 duke i prishur Strakoshës dhe Shqipërisë mbrëmjen perfekte.
Nëse Sylvinho u shfaq i rezervuar për të përcjellë detaje pas këtij takimi, mbi mënyrën e lojës, trajneri i Azerbajxhanit u shpreh i bindur se: “Është e qartë që kjo është saktësisht ajo që Shqipëria po përgatit për ndeshjen hapëse ndaj Italisë në “Euro2024”, të luajë në kundërsulm”.
Në këto dy teste, faza ofensive tregoi një nivel të mirë, ku gjetën golin lojtarë si Broja, Asani, Muçi, Bajrami, Rey Manaj dhe Qazim Laçi.
()