Dy punëtorë ndërtimi janë vrarë në pesë ditët e fundit në Tiranë dhe Vlorë
Dy punëtorë të ndërtimit, në Tiranë dhe Vlorë, kanë rënë nga skela dhe kanë humbur jetën në 5 ditët e fundit. Policia ndërkohë në dy qytetet ka raportuar dhe tre raste të plagosjes së rëndë në punë.
Aksidenti i parë ndodhi në 19 maj në Vlorë në zonën e Ujit të Ftohtë, ku punonjësi i identifikuar si A.P. 60 vjeç ra nga skela dhe humbi jetën. Policia e Vlorës raportoi arrestimin e bashkëpronarit të pallatit, një 70-vjeçar, i akuzuar për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi, pasi nga verifikimet e kryera ka rezultuar se punimet në këtë pallat po kryheshin pa lejen e organeve kompetente.
Po ashtu u arrestua edhe administratori dhe drejtuesi teknik i firmës, A.K. 53 vjeç, për veprat penale “Ndërtimi i paligjshëm” me pasoja të rënda, me qëllim fitimi dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”.
Në Tiranë aksidenti i rëndë ndodhi të dielën, kur sipas policisë një 50-vjeçar humbi jetën pasi ra nga skela e një pallati në ndërtim. “Rreth orës 08:10, në rrugën “Besa”, në një pallat në ndërtim e sipër, dyshohet se aksidentalisht ka rënë nga lartësia ku ishte duke punuar shtetasi A. B., 50 vjeç, i cili si pasojë ka ndërruar jetë”, thuhet në njoftim. Policia e Tiranës nuk ka bërë me dije përgjegjës për rastin.
Tre aksidente të tjera me pasojë lëndime të rënda të punëtorëve ndodhën po ashtu në këtë sektor në pesë ditët e fundit. Një punëtor ra në kontakt me korrentin, një tjetër u godit nga një vinç në Palasë, ndërsa një i tretë ra nga lartësia.
Megjithë aksidentet e rënda në sektorin e ndërtimit, nuk ka pasur ndonjë reagim nga institucionet shtetërore. Një zyrtarë i Inspektoratit të Punës i tha BIRN se nuk mund të jepnin qëndrim për rastet, pasi drejtuesit nuk ishin në Shqipëri, por me trajnim në Bruksel.
Në një reagim në faqen e tij në Facebook Arlind Qori, kryetari i “Lëvizjes Bashkë”, i cilësoi rastet pasojë e neglizhencën së institucioneve dhe palëve politike. “Dy punëtorë ndërtimi të vdekur në tre ditë. Asnjë institucion publik nuk do t’ia dijë. Pasi i ka vënë drynin Ministrisë së Punës dhe është mburrur për mungesën e sindikatave, Edi Rama vazhdon i bie dajres. Nëpër media kuitet për fatin e Sali Berishës. Të tjerët vazhdojnë bëjnë hesape pas rezultatit të zgjedhjeve”, shkroi Qori, ndërsa premtoi luftë për të drejtat e punëtorëve.
Numri i aksidenteve të rëndë në punë në Shqipëri mbetet i lartë. Mesatarisht çdo vit 32 persona humbin jetën në aksidente të kësaj natyre sipas raporteve të 4 viteve të fundit të Inspektoratit të Punës, kryesisht në ndërtim dhe miniera. BIRN ka gjetur në investigime të mëparshme se aksidentet në punë janë të nënraportuara dhe vetëm pak prej kompanive që gjenden në shkelje ndëshkohen, ndërsa faji u mbetet viktimave.
Në mjaft rast të aksidentuar janë punonjës të kompanive publike, të cilat vijojnë të kenë probleme të sigurisë edhe pse jo pak herë kanë paguar miliona në dëmshpërblime.