Gjyqtari Dritan Caka përballet me vetingun
Gjyqtari i Gjykatës së Tiranës, Dritan Caka u përpall të hënën me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK, kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për dy barra prove në kriterin e pasurisë dhe dy gjetje të tjera në aspektin profesional. Caka mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.
Procesi i vetingut për gjyqtarin Caka po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Etleda Çiftja, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Suela Zhegun. Në cilësinë e vëzhgueses ndërkombëtare ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Dritan Caka përfundoi Shkollën e Magjistraturës në vitin 2001 dhe u emërua në Gjykatën e Lushnjës. Prej vitit 2014 ai e ushtron funksionin në Gjykatën e Tiranës.
Sipas relatimit të Komicit, Caka ka pasur mundësi për blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 85.4 m2 në Tiranë kundrejt vlerës 3 milionë e 279 mijë lekë në vitin 2010, si burime krijimi të të cilit ka deklaruar një kredi në shumën 2.5 milionë lekë dhe pjesa tjetër nga kursime familjare.
Megjithëse Komisioni ka konstatuar se çmimi i apartamentit sipas kontratës së sipërmarrjes së vitit 2005 ishte më i ulët nga ai sipas referancave të Entit Kombëtar të Banesave, nuk është gjetur trajtim preferencial pasi ka rezultuar që shoqëria ndërtuese ka shitur apartamente dhe me çmim më të vogël nga sa e ka blerë subjekti. Po ashtu, janë marrë në konsideratë dhe shpjegimet e këtij të fundit se banesa gjendet në një zonë jo të preferuar dhe me mungesë të infrastrukturës.
KPK nuk ka gjetur probleme në deklarimin e një ngastre toke të përfituar nga ligji “Për Tokën”; në blerjen e një automjeti në vitin 2012 për çmimin 900 mijë lekë dhe të një makine tjetër në 2003-in, me burime nga kursimet familjare; për gjendjen në llogarinë bankare në shumën 3.8 milionë lekë nga pagat e subjektit dhe të ardhurat nga puna e bashkëshortes si notere; për një gjendje llogarie të kësaj të fundit si person fizik në vlerën 1 milion e 829 mijë lekë; si dhe për një gjendje cash 800 mijë lekë, edhe këto nga kursimet familjare.
Komici konstatoi se gjyqtari Caka ka deklaruar rregullisht në vite kursimet dhe se ka pasur mundësi financiare për krijimin e tyre. Ai sqaroi, se megjithëse në vitin 2005 kur është shlyer kësti i parë i apartamentit, nuk është deklaruar pakësimi i cash-it, subjekti ka deklaruar si burim të pagesës, kursimet familjare.
Nga hetimi i Komisionit ka rezultuar se subjekti ka blerë një apartament në vitin 2018 në fshatin kryemëdhenj të Kavajës për çmimin 3.7 milionë lekë. Megjithëse, KPK konstaton se Caka ka pasur mundësi financiare për blerjen e kësaj pasurie, vlerëson të paqartë kohën e kalimit të kontratës së energjisë elektrike të apartamentit në emër të subjektit dhe i ka kërkuar atij shpjegime.
Gjyqtari Caka u shpreh dakord me gjithë gjetjet dhe konstatimet e Komisionit për të tre kriteret e rivlerësimit. Megjithatë, ai kundërshtoi barrat e provës duke pretenduar se i kishte përmbysur ato.
Caka pretendoi se kishte rrëzuar çdo dyshim se kontrata e mëparshme e vitit 2004 ishte lidhur prej tij. Ai vërejti se kishte dorëzuar dokumentacion zyrtar që vërtetonte se kishte aplikuar në vitin 2019 për kalimin e kontratës së energjigsë në emrin e tij, pas blerjes së këtij apartamenti.
Nga analiza financiare e përgjithshme e kryer për periudhën 2003-2016, Komisioni konstaton balancë negative rreth 1.2 milion lekë në vitin 2014.
Subjekti pretendoi se kishte pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme për të mbuluar shpenzimet në vitin 2014. Ai deklaroi se kjo vinte për shkak të deklarimit në tatime nga bashkëshortja të një gjendje në arkën e subjektit fizik në emër të saj, si notere. Caka e cilësoi si një gabim kontabël, duke pretenduar se gjendja nuk ka egzistuar vërtetë. “Nëse nuk do të konsiderohej gjendja në arkën e subjektit fizik të bashkëshortes, bilanci i vitit 2014 do të rezultonte pozitiv”, pohoi Caka duke ritheksuar se kishte qenë një deklarim i kryer pa dashje nga bashkëshortja.
Gjyqtari Dritan Caka u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës, ndërkohë që u konstatuan disa gjetje për profesionalizmin për të cilat dha shpjegime.
Në dy prej tre çështjeve të përzgjedhura nga vetë subjekti, KPK ka gjetur se gjykimi ka përfunduar jashtë fatit 6 mujor. Gjyqtari Caka deklaroi se tejkalimi afatit 6-mojur nuk kishte ardhur për shkakun e tij. Sipas tij, seancat ishin shtyrë për të mundësuar sjelljen e palëve në process, kryerjen e hetimit të plotë të çështjes dhe si paosjë e pushimeve vjetore në gjykata.
Ndaj gjyqtarit Caka janë depozituar gjithsej 21 denoncime nga publiku. Për 9 prej tyre, Komici sqaroi se nuk ka pasur të dhëna që të kenë lidhje me rivlerësimin profesional. Për 8 denoncime të tjera është konstatuar se kishin të bënin me themelin e çështjes. Edhe për disa prej denoncimeve, ka rezultuar se pretendimet ndaj Cakës nuk qëndronin.
Ndërkohë, nga verifikimi i një denoncimi të kryer nga një avokat, përfaqësues i një pale të gjykuar nga Caka, Komisioni ka konstatuar se Apeli ka rrëzuar një vendim të subjektit për shkelje të rregullave procedurale. Sipas Komicit, ka rezultuar se Caka ka administruar një dokument që nuk përmbushte kërkesat për t’u cilësuar si provë, se nuk i ka dhënë një pale mundësinë për t’u mbrojtur, si dhe vendimi është shpallur në dhomë këshillimi pa njoftuar palët.
Caka deklaroi se kjo çështje ishte rekursuar në Gjykatën e Lartë. Sipas tij, duhet të pritet të shprehet Gjykata e Lartë ndaj vendimit të Apelit. Ai tha se kishte paraqitur shpjegime se ku ishte bazuar për vendimin dhe e cilësoi të paunifikuar praktikën e përdorur nga Apeli.
Për disa kallëzime për “shpërdorim detyre” të kryera ndaj Cakës, është vendosur mosfillimi hetimeve.
Në përfundim, gjyqtari Dritan Caka tha se kishte arritur nivel të besueshëm në të tre kriteret e rivlerësimit dhe kërkoi konfirmimin në detyrë. Komisioni njoftoi se vendimi do të shpallet të martën më 23 maj, në orën 09:45.