Fri, Nov 29, 2024

Merkato, ‘ish’-ët kthehen në opsione te Partizani

  • PublishedJune 10, 2024

Partizani nuk ka arritur të mbyllë asnjë transferim me sukses, por “pistat” janë të shumta. Një numër i madh ish-lojtarësh të të kuqve, që kanë lënë gjurmë të rëndësishme në të shkuarën, janë pa kontratë, çka bën që të shndërrohen direkt në opsione për “demat”. Por mbërritja deri tek ata, ka peripecitë dhe vështirësitë e veta.

TË MUNDSHMIT – Esin Hakaj dhe Esat Mala mbyllën kontratat e tyre me Vllazninë dhe aktualisht janë në kërkim të eksperiencës së radhës. Të dy kanë të shkuar te Partizani dhe fakti është që të kuqtë kanë nevojë për lojtarë të profilit të tyre. Tregu jo dhe aq i gjerë i futbollistëve në rajonin tonë, e bën Partizanin t’i shqyrtojë si opsione. Mbërritja tek ata është mjaft e mundshme. Një tjetër “ish” i lirë është edhe Lorenc Trashi, i cili gjithnjë e ka mbajtur të hapur mundësinë e kthimit te Partizani. Këta të fundit nuk kanë lëvizur në këtë aspekt. Jurgen Bardhi ka mbyllur kontratën me Keçiorengyçy në Ligën e Parë turke dhe del lojtar i lirë në fund të muajit. Burime pranë klubit të kuq e lënë të hapur rikthimin e fantazistit.

“PISTA” TË VËSHTIRA – Të lirë janë edhe emra si Eraldo Çinari, Eneo Bitri apo Engjëll Hoti, por rikthimi i tyre shihet mjaft i vështirë, sepse dëshira e lojtarëve në fjalë është të luajnë në arena më të mëdha të futbollit.

 

AlbaniaWeb.net