Thu, Nov 28, 2024

Plagosja e policit në protestën te bashkia e Tiranës, Berisha: Na shpallën luftë, mosbindje totale civile

  • PublishedJune 10, 2024

Në daljet e tij nga dritarja e banesës, ku vuan masën e arrestit, Berisha ka reaguar këtë mbrëmje lidhur me protestën e dhunshme sot para bashkisë së Tiranës, ku mbeti i plagosur një efektiv policie.

Por Berisha është shprehur se “narkopolicët përdorën helme kundër demonstruesve paqësorë”, dhe se me “këtë akt, ata i shpallën luftë opozitës”.

“Të dashur miq, sot mercenarë, narkopolicë, narkobanditë të veshur me uniformë, përdorën helme kundër demonstruesve paqësorë.

Sadistë dhe kriminelë përdorën gaze luftërash, të përdorura barbarisht 100 vite më parë.

Përdorën gaze toksike, gaze me pasoja dëmtime serioze në lëkurë, etj.

Me këtë akt, ata i shpallën luftë opozitës.

Ndaj dhe ftoj qytetarët dhe qytetaret t’i përgjigjen këtij akti kriminal me zemërim të pakufishëm, me revoltë të pakufishme, me mosbindje totale civile.

Ftoj shqiptarët të bashkohen në këtë betejë qytetare, betejë për jetën, ekzistencën e demokracisë dhe vetë kombit shqiptar në Shqipëri.

Çdo ditë që kalon është ditë që rëndon mbi ndërgjegjen tonë qytetare.

Është ditë që rëndon mbi supet e lodhura të këtij vendi të rraskapitur.

Është ditë që përzë nga orët e para të mëngjesit gjer natën vonë shqiptarët nga Shqipëria.

Është ditë në të cilën bota e krimit e lidhur me Edi Ramën dhe qeveritarët, kafshon egërsisht qenien shqiptare.

Është ditë në të cilën, Edi Rama, qeveritarët dhe zyrtarët e tij vjedhin çdo minutë dhe çdo orë dhe varfërojnë. Vjedhin pasuritë publike. Vjedhin buxhetin. Varfërojnë çdo ditë shqiptarët. Ndaj dhe o sot o kurrë, të bashkohemi në një betejë shpëtimtare për kombin shqiptar”, tha Berisha.



AlbaniaWeb.net