Petrit Hysa përballet me barrë prove për pasurinë dhe profesionalizmin
Prokurori Petrit Hysa i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë u përball të hënën më 22 maj me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, KPK kur gjatë seancës dëgjimore dha shpjegime për bilancet ngative në krijimin e pasurive, për dyshimet e ngritura lidhur me burimet e krijimit, si dhe për disa çështje në aspektin profesional për të cilat i ishte kaluar barrë prove.
Procesi i tij i vetingut po kryhet nga trupa e kryesuar nga Alma Faskaj, me relatore Etleda Çiftjan dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Theo Jacobs.
Petrit Hysa ka punuar fillimisht si hetues në Dibër dhe në Mat në vitet 1986-1991. Ai është rikthyer në sistemin e drejtësisë në vitin 1997 si prokuror në Prokurorinë e Pogradecit dhe në vitin 1999 u transferua në Tiranë në cilësinë e zëvendësdrejtuesit. Prej asaj kohe e ushtron funksionin e prokurorit në kryeqytet.
Bilancet negative
Hysa ka pasqyruar në deklaratën “veting” një godoinë banimi me tre kate + kat nëntokë, me sipërfaqe ndërtimi 114.4 m2 dhe truall 405 m2, pasuri e legalizuar në 2015-ën.
Ai ka sqruar se vlera e katit nëntokë dhe atij përdhe është në shumën 1 milion e 786 mijë lekë, ndërsa vlera e katit të dytë dhe të tretë karabina, në vlerën 1 milion e 613 mijë lekë.
Si burime krijimi për katin nëntokë dhe atë përdhe ka deklaruar të ardhurat e tij nga puna si avokat gjatë viteve 1993-1007; si hetues; nga punësimi në Bashkinë Burrel dhe në Uzinën e Ferrokromit; të ardhurat nga shitja e një apartamenti të privatizuar nga familja e origjinës, si dhe të ardhurat kursimet e familjarëve, përfshi edhe vëllai.
Komisioni konstaton se nuk përputhet deklarimi i subjektit në vitin 2003 kur ka shënuar se posedonte banesë private 3+1, pasi nga dokumentacioni dhe fotot e administruara prej ALUIZN-it, ka rezultuar se deri në vitin 2006, banes aka qenë e ndërtuar deri në katin e parë.
Bazuar në të dhënat e siguruara gjatë hetimit administrativ, si dhe deklarimeve të subjektit, KPK vlerëson se periudha e ndërtimit të banesës është 1999-2008. Ndërkohë, vlera e investimit nga Komisioni është vlerësuar në total në shumën 5.9 milionë lekë dhe jo aq sa është pretenduar nga Hysa.
Nga analiza e burimeve të deklaruara, Komisioni konstaton se subjekti ka mungesë të dokumentacionit ligjor justifikues për të ardhurat e pretenduara nga avokatia në shumën 5 milionë lekë për periudhën 1993-1997.
Ndëkrohë, KPK vëren se subjekti nuk i ka pasqyruar në deklaratën “veting” dhe në vite kursimet e familjarëve si burim për shtëpinë. Po ashtu, nuk ka përcaktuar vlerën dhe nuk ka paraqitur dokumentacion për këto të ardhura.
Nga analiza financiare ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 3.1 milionë lekë për hedhjen e themeleve dhe përfundimin e katit të parë të banesës gjatë periudhës 1992-1999.
Prokurori Hysa këmbënguli se kishte pasur të arhdura të konsiderueshme nga avokatia. Ai renditi provat e dorëzuara për të vërtetuar këto të ardhura, si certifikatën e avokatisë të vitit 1993, si dhe dokumentacion që sipas tij vërteton se ka kaluar në si avokat në statusin pasiv në vitin 1997.
Ai shtoi se kishte dorëzuar vendime dhe dokumentacion gjyqësor që vëtretonte se ai kishte qenë avokat në çështje të rëndësishme.
I pyetur nga relatorja Çiftja se sa vlente një përfaqësim në atë periudhë, Hysa shpjegoi se nuk kishte një tarifë të përcaktuar sipas ligjit, por sipas tij, kishte fituar edhe deri në 500 mijë lekë për një çështje. Ai deklaroi se dakordësosheshin me palët, edhe në varësi të çështjes.
Ai kërkoi që të ardhurat e deklaruara prej tij nga avokatia të konsiderohen në analizën financiare. Po ashtu, kërkoi që analiza për shpenzimet e kryera për blerjen e truallit dhe hedhjen e themeleve të përllogariteshin në analizën financiare përpara fillimit të detyrës së tij si prokuror.
Lidhur me mospërputhjen e konstatuar në deklarimin e vitit 2003, subjektoi pretendoi se me shënimin 3+1 nuk kishte dashur të pasqyronte katet e objektit, por strukturën e dhomave.
Ai pretendoi se vlera e shitjes së banesës ishte ndarë mes tij, prindërve dhe vëllait që jetonte me ta, kurse vëllezërit dhe motrat e tjerë nuk kishin pasur pretendime pasi jetonin të shkëputur nga trugnu familjar prej vitesh. Po ashtu, Hysa pretendoi se vëllai që jetonte me prindërit kishte pasur mundësi të krijonte të arhdura nga biznesi i tij i palicensuar.
Subjekti e kundërshtoi koston e ndërtimit të banesës të konkluduar nga Komisioni, duke argumentuar se çmimet kanë qenë më të ulëta, pasi objekti gjendet në periferi të Tiranës, në Shkozë. Hysa pretendoi se punimet ishin kryer nga punëtorë dhe ai vetë.
Ai pretendoi se kishte pasur të ardhura të ligjshme të mjaftueshme për kryerjen e këtij investimi.
Në vijim, relatorja Çiftja vërejti se subjekti e ka deklaruar për herë të parë investimin e kryer nga motra në vitin 2016, megjithëse pretendon se është realizuar gjatë viteve 2008-2009. Po ashtu, ka rezultuar se në aplikimin e kryer pranë SHK-së në vitin 2014, nuk figuron emri I motrës, si dhe nuk është mar ndonjë hap për kalimin e pronësisë në emër të saj.
Çiftja konstatoi se në vitin 2008, motra e subjektit ka përfituar në shtetin grek një kredi pa interesa për blerje banese, që KPK e konsideron si tregues të një situate jo të favorshme për kryerjen e investimit tjetër në Tiranë.
Bazuar në këto të dhëna, Komisioni e vlerëson jo bindës deklarimin se investimi për katin e dytë dhe të tretë, është kryer nga motra e subjektit.
Megjithatë, Komisioni e ka konsideruar motrën e subjektit si person tjetër të lidhur dhe nga analiza financiare e tyre ka rezultuar pamundësi për investimin e kryer.
Prokurori Hysa pretendoi se dokumentacioni i dorëzuar prej tij vërtetonte mundësinë e motrës për kryerjen e investimit. Ai tha se motra kishte punuar edhe në mënyrë informale për të siguruar më shumë të ardhura. Subjekti sqaroi se motra ka investuar kur ndërtesa ishte në gjendje të mjeruar, pasi e kishte braktisur si paosjë e probleme për shkak të detyrës që i rrezikonin atij dhe familjarëve jetën.
Prokurori Hysa ka porositur një apartament me sipërfaqe 95.26 m2 në vitin 2006 kundrejt çmimit 74 mijë euro. Si burime krijimi të kësaj pasurie, subjekti ka deklaruar të ardhurat e tij dhe të bashkëshortes ndër vite, si dhe dy hua nga dy shtetas në vlerat 27 mijë euro dhe 14 mijë euro.
Komisioni konstaton se huatë janë deklaruar për herë të parë në vitin 2010 kur është deklaruar edhe apartamenti, ndërkohë që nuk është provuar koha reale e dhënies së këtyre shumave. Nisur nga fakti se janë konstatuar deklarime kontradiktore të Hysës lidhur me kohën e marrjes së huave, si dhe për shkak të mosdeklarimit në vitet 2006-2010 të detyrimit ndaj huadhënësve, KPK shprehet se duket se këto vlera nuk janë marrë nga subjekti, e për rrjedhojë nuk mund të kenë shërbyer për blerjen e apartamentit.
Çiftja tha se dhe në rastin e konsiderimit të tyre, nuk është vërtetuar me dokumentacion justifikues ligjor mundësia e huadhënësve për kursimin e shumave të pretenduara.
Po ashtu, ka rezultuar bilanc negativ në vlerën 4.9 milionë lekë për krijimin e likujditeteve cash 5 milionë lekë të deklaruara nga subjekti në 2003-in, si gjendje e krijuar ndër vite.
Bazuar në këto konstatime, KPK vlerëson se subjekti nuk ka arritur të justifikojë burimet e apartamentit të porositur në 2006-ën.
Prokurori Hysa deklaroi se apartamenti ishte okazion dhe prandaj e kishte blerë. Ai pohoi se kishte pasur mundësi të merrte hua dhe në persona të tjerë, por këmbënguli se dy huadhënësit kanë pasur burime financiare të ligjshme të mjaftueshme. Sipas subjektit, njëri prej huadhënësve kishte qenë biznesmen. Për tjetrin që ishte emigrant solli argument një thënie për të cilën tha se e ka përdorur kryeministri. “Se shqiptarët kanë punuar në të zezë, por jo me punë të zeza”, tha ai.
Prokurori Hysa deklaroi se familja e tij kishte pasur burime financiare të ligjshme për kryerjen e investimeve dhe mbulimin e shpenzimeve në vite. Subjekti solli si argument fakjtin se të ardhurat e familjes së tij ishin në masën 32 milionë lekë, ndërsa pasuria sipas tij kap shifrën e rreth 13.6 milionë lekëve.
Komisioni konstaton deklarime kontradiktore lidhur me gjendjen cash në shumën 1 milion e 50 mijë lekë, pasi kjo shumë e pasqyruar në deklartën “veting”, nuk përkon me përllogaritjen e shumave të deklruara në vite.
Ç9iftja evidentoi edhe dyshime të Komisionit për të drejtat reale të një automjeti të llojit Benz që ka pasur në përdorim djali i subjektit në vitin 2016. Ka rezultuar se kjo makinë është blerë nga djali i Hysës në vitin 1998.
Profesionalizmi
Prokurori Hysa mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës, ndërsa për profesionalizmin i janë kaluar si barrë prove konstatimet për disa çështje të hetuara prej tij.
KPK nuk ka gjetur probleme në tre dosjet e përzgjedhura nga vetë subjekti dhe në pesë të shortuarat, ndërikohë që nga verifikimi të dhënave arkivore ka rezultuar se ndaj Hysës janë marrë dy masa disiplinore “paralajmërim për largim nga detyra”.
Çiftja evidentoi një çështje të hetuar nga subjekti ndaj dy zyrtarëve që i ka çuar për gjykim për “shpërdorim detyre”, por që janë shpallur të pafajshëm nga gjykata. KPK vëren se subjekti nuk ka kryer hetime të plota, situatë që është konstatuar dhe nga Prokuroria e Përgjithshme.
Hysa deklaroi se emri i tij kishte qenë fiktiv në në përfaqësimin e çështjes, pasi hetimi ndaj dy zyrtarëve ishte kryer nga Prokurori i Përgjithshëm i asaj kohe. “E kam shfaqur mendimin tim që ishte ndesh me të titullarit, që më pas mu shfaq në boomerang. Është e padrejtë masa që mu dha”, deklaroi Hysa dhe solli në vëmendje faktin se në atë kohë prokuroria ishte institucion i centralizuar.
Lidhur me masën e dytë e dytë disiplinore, ai tha se kishte të bënte me një debat që kishte pasur me prokurorin që monitoronte kohën që shpenzonin prokurorët për të shkuar në gjykatë në këmbë dhe për t’u kthyer.
Nga 21 denoncimet e depozituara nga publiku në Komision, Hysës i janë kërkuar shpjegime e kaluar barrë prove për katër çështje.
Në një rast denoncuesi ngre pretendime për hetime të paplota dhe mosnjohjen me vendimin e marrë, duke i hequr të drejtën e ankimit. Një tjetër denoncues ka pretenduar zvarritje 10 mujore të hetimeve, të pajustifikuara.
Hysa deklaroi se e kishte dërguar kopjen e vendimit, megjithëse në sekretari kishin bashkëidhur gabimisht dhe dokumente që nuk kishin të bënin me çështjen. Për çështjen tjetër tha se nuk kishte pasur zgjatje të hetimeve, pasi nuk kishte ende një person të regjistruar me emër.
Çiftja relatoi në vijim pretendimet e një denoncuesi, për hetim të gjësë së gjykuar nga subjekti. denoncuesi ka ngritur pretendime për korrupsion e njëanshmëri, me qëllim favorizimin e palës kallëzuese.
Gjatë seancës, subjekti u pyet nga Komisioni dhe vëzhguesi ndërkombëtar lidhur me rrethanat e kryerjes së hetimit të një çështje me të njëjtin objekt dhe palë, që ishte hetuar nga një prokuror tjetër dhe pushuar nga gjykata.
Prokurori Hysa shpjegoi se e kishte mësuar se kjo çështje ishte hetuar nga një tjetër prokuror, kur kishte përfunduar hetimet. Ai tha se kishte krijuar bindjen se çështja duhej kaluar për gjykim dhe e kishte lënë në çmim të gjykatës që të vendoste.
Subjekti pretendoi se nuk bëhej fjalë për gjë të gjykuar, duke argumentuar se vendimi i shkallës së parë ishte ankimuar dhe nuk kishte marrë formë të prerë.
Prindërit e një të riu të vrarë me armë zjarri, kanë ngritur pretendime se subjekti ka favorizuar autorin duke klasifikuar një vepër penale që kishte masë dënimi më të vogël. Çiftja vërejti se gjykata e kishte ftuar subjektin për të korrigjuar veprën penale që klasifikuar për ngjarjen, por subjekti ishte shprehur se nuk gjendeshin në kushtet e ndërrimit të akuzës. “Ndryshimi i cilësimit të akuzës do të ndikjonte dukshëm në masën e dënimit të autorit të vrasjes së djalit të dy denoncuesve”, pohoi Çiftja.
Nga sa u relatua në seancë u mësua se gjykata e kishte ftuar subjektin ta klasifikonte ngjarjen si “vrasje me dashje” dhe jo si “vrasje në rrethana të rënduara psikologjike”, ashtu si kishte konkluduar Hysa.
Subjekti deklaroi se kishte qenë viktima që e kishte provokuar autorin duke e kanosur dhe fyer për nderin e familjes. Ai shtoi se autori kishte pasur armë zjarri me vete dhe kishte reaguar në kushte të rënduara psikologjike duke e vrarë. Hysa tha se autori kishte qenë punonjës policie.
“Nëse dikush të shan nga nëna e motra duhet ta vrasësh?”, shtroi si pyetje për prokurorin Hysa relatorja Etleda Çitfja.
Subjekti deklaroi se sulmi nga viktima kishte qenë tepër agresiv, fyes dhe kanosës. “Është provokim shumë i rëndë, varet nga karakteri i njeriut. Edhe gjykata e pranon se ka pasur tronditje psikologjike. Është e vështirë të rrish pasiv”, deklaroi ndër të tjera prokurori Hysa.
Ai tha se për të kualifikuar veprën penale ishte bazuar në analizën e ekspertëve që kishin konkluduar se autori kishte vepruar nën sulmin e pandërprerë të ofendimeve dhe kanosjeve nga ana e viktimës. “I qëndroj bindjes së vepra penale është vrasje për shkak të kushteve fiziologjike dhe jo vrasje me dashje”, deklaroi prokurori Hysa dhe kërkoi konfirmimin në detyrë.
“E kam ushtruar detyrën me korrektësi dhe profesionalizëm. Kam kërkuar dhe dënime me vdekje dhe të përjetshme”, përfundoi Hysa.
KPK njoftoi se vendimi do të shpallet më 24 maj, në orën 09:45.