FOTO/ Shqipëria “zjarr” përpara Italisë, por kompanitë e basteve nuk besojnë te mrekullitë
“Ethet” e Evropianit kanë mbërthyer tifozët kuqezi kudo në botë, ndërsa Sylvinho dhe te besuarit e tij duket të qetë, në formë të shkëlqyer në vigjilje të sfidës kundër Italisë. Ekipi përfaqësues vijon përgatitjet, me Sylvinho-n që ka pasur në dispozicion grupin e plotë, asnjë problem fizik për asnjë lojtarë. Sigurisht, ka ende dilema në lidhje me formacionin që trajneri do të sfidojë Italinë, ku një dilemë më vetë është Ismajli apo Ajeti përkrah Gjimshitit, ndërsa në pikëpyetje është edhe krahu i majtë i sulmit.
Në variantin e tij tipik, me skemën e preferuar, 4-2-3-1, titullar projektohet Seferi, por Sylvinho ka dhe një plan B që po fiton kuota këtë periudhë, ndryshimi i skemës në 4-3-3, ku në këtë variant, për të përforcuar më shumë mesfushën parashikohet Qazim Laçi nga minuta e parë, ndërsa në krahë të majtë spostohet Nedim Bajrami në vend të Taulant Seferit.
Pavarësisht këtyre dilemave të fundit, është e qartë që Shqipëria nuk zbret si favorite në këtë sfidë, përkundrazi, për kompanitë e basteve një sukses i mundshëm i kuqezinjve duket thuajse i pamundur pasi vlerësohet me koeficientin 8,50, ndërsa një barazim i mundshëm, që po ashtu do të ishte një arritje e rëndësishme, vlerësohet me koeficientin 4,50. Një sukses i Italisë vlerësohet me 1,40. Në katër përballje në të kaluarën, Italia ka marrë 4 fitore, ndërsa vetëm një herë kemi mundur t’i shënojmë.
()