Rezidentët e huaj dhe turistët rrisin kostot e jetesës në ‘lungomaren’ e Durrësit
Zona përballë shëtitores bregdetare në Durrës është mbushur me pallate deri në 25 kate, të ndërtuara kryesisht pas viteve 2000.
Interesi i banorëve për tu jetuar në këtë territor u rrit veçanërisht në 5 vitet e fundit, kur të huajt filluan të marrin banesa me qira ose të blejnë apartamente.
“Pamja e detit, e cila ne durrsakëve nuk na bën përshtypje, i tërheq më shumë se sa gjithçka të huajt,” tha për BIRN Florian Tahiri, i cili drejton një agjenci immobiliare.
Më pas ai rendit edhe një sërë lehtësish të tjera për banorët e rinj të zonës, siç janë afërsia me qendrën e qytetit, me institucionet bankare, autobusët urbanë, baret dhe restorantet më të mira në Durrës, si dhe shëtitorja, e cila në mbrëmje është hapësira më e frekuentuar.
Kjo e ka rritur së tepërmi vlerën e apartamenteve, garazheve dhe lokaleve të shërbimit në lagjen nr 1, siç emërtohet ajo zyrtarisht.
“Që nga viti 2019, numri i shitjeve u dyfishua,” tha Floriani, sipas të cilit njëlloj u dyfishuan edhe çmimet e apartamenteve, si në shit-blerje, edhe në qiradhënie.
Italianët, veçmas pensionistët, përbëjnë grupin më të madh të interesit, por nuk mungojnë edhe polakë, çekë, rusë e ukrainas, pa folur për turistët, të cilët qëndrojnë në periudha të shkurtra me qira.
Hasan Hashuli, i cili bashkë me një koleg administron dy nga pallatet e ngritur 20-vjet më parë, konfirmon se numri i të huajve në lagje është rritur ndjeshëm.
“Janë 12 familje të huajsh në dy pallate, kryesisht italianë, tha Hasani, sipas të cilit disa apartamente të tjerë janë adoptuar për qëndrime disa-ditore,” tha ai.
“Pa folur për ndonjë tjetër banor, që e jep apartamentin për të huaj, ndërsa është transferuar vetë në lagjet periferike, ku çmimet janë më të ulta,” shtoi Hashuli.
Por lagjia po njeh edhe një rritje jopërpjestimore të çmimeve të shërbimeve dhe të mallrave ushqimore.
“Fruta – zarzavatet në tregtoret e lagjes kanë çmime 15-20 përqind më të larta,” tha për BIRN Masimo Biz, i cili që prej një dhjetëvjeçari jeton me familjen në një nga pallatet buzë rrugës.
Masimo ka vënë re se çmimet janë më të larta në dy ditët e fundjavës se sa gjatë javës. Apo, se ende pa filluar sezoni turistik, çmimet ditore të çadrave të plazhit janë më të larta se sa në vitin e kaluar.
“Unë besoj se më shumë dëmtohen banorët vendas,” tha sipërmarrësi italian që punon në Shkozet, ndërsa shton se kosto e jetesës po bëhet mjaft e shtrenjtë.
Sipas Masimos, “ky fenomen ka ndodhur edhe në vende si Spanja apo Portugalia, dhe nuk çuditem, sikur edhe këtu të ndodhë një ndryshim tjetër i madh.
Aktualisht, kjo është një lagje rezidenciale, ku shumicën e banorëve e përbejnë vendasit, por mbërritja masive e turistëve të huaj, në të ardhmen mund ta kthejë atë në një lagje turistike,” tha sipërmarrësi italian.
“Ligji shqiptar i pengon të huajt vetëm në blerjen e tokave, ndërsa nuk ka kufizime në blerjen e apartamenteve,” tha për BIRN Roland Cobani, administrator i njësisë nr.1 në qytetin bregdetar.
Ai shtoi se po kërkojnë – në bashkëpunim me zyrën e Kadastrës, vendosjen e adresave të sakta për banorët e rinj dhe po të njejtën gjë edhe për emërtesat e rrugëve në këtë zonë mjaft të populluar të Durrësit.
Jeta e lagjes nr 1 është mjaft intensive, veçanërisht në mbrëmje, kur tingujt muzikorë të lokaleve ndonjëherë e tejkalojnë masën.
“Ne të huajt nuk ankohemi për muzikën, por për jetën në komunitet dhe për administrimin e pallatit,” tha Giuseppe Palumbo, një artist napoletan në pension që banon pranë pishinës publike.
Ai shton se për të zhbllokuar rrugën e pallatit ku banon nga automjetet e shumtë të qytetarëve, që nuk gjejnë vende parkimi, jo pak herë kërkojnë edhe ndihmën e Policisë Bashkiake.
“E keqja është se përsëritet shpesh, sidomos në stinën e verës,” tha Palumbo, i cili ka edhe një shqetësim tjetër.
Ai tha se para dy muajsh, ngjitur me trotuarin e rrugës “Taulantia” shtruan një tubacion të ri për të tërhequr ujrat e shiut, në rast përmbytjeje.
“Po gjithçka ka mbetur si më parë, edhe pusetat e hapura pa kapake, edhe kanali i paasfaltuar,” përfundoi Giuseppe Palumbo.