Alarm për bombë në Berlin, policia gjermane nis kontrollet
Vetëm pak minuta na ndajnë nga starti i Euro 2024, Berlini është alarmuar, shkak është bërë një çantë e dyshimtë, e cila është pikasur nga policia gjermane.
Një pjesë e zonës së tifozëve të Euro 2024 pranë ndërtesës së Reichstag në Berlin është pastruar nga forcat e sigurisë pas zbulimit të një çantë shpine të dyshimtë.
Çanta u gjet në hyrje të zonës kushtuar tifozëve të ardhur për të ndjekur kampionatin evropian në Gjermani dhe një burrë që u ndalua për kontrolle. Aktualisht, raporton Bild, shumë efektivë të policisë së shtetit dhe skuadra e bombave kanë ndërhyrë në vendngjarje.
“Si një masë paraprake, është vendosur një zonë e kufizuar. Çanta tani është duke u ekzaminuar. Gjithashtu mund të jetë që dikush nuk e ka çuar në zonën përkatëse, sepse çanta e shpinës është më e madhe se formati i lejuar”, tha Beate Ostertag zëdhënëse e policisë së Berlinit. Zona e ndaluar është 200 metra e gjerë dhe nuk mbulon të gjithë zonën e tifozëve.
Tri hyrje janë mbyllur, njëra është ende e hapur. Incidenti aktualisht nuk ka asnjë ndikim në vizitat në “Fan Mile” përballë portës së Brandenburgut, ku qasja mbetet e lejuar.
Megjithëse të gjitha strukturat e ruajtjes së sigurisë në Gjermani janë në gadishmëri le të shpresojmë që episode të tilla të mos përsëriten më përgjatë gjithë 30 ditëve, kur do të zhvillohet ky kompeticion.