Gjermania me “5 yje”, i dërgon një “sms” rivalëve, Nagelsmann: Ishte vetëm hapi i parë
“Pancerat” “shtypin” Skocinë në premierën e tyre në Evropian, një fitore me “manita” që i jep Gjermanisë më shumë besim në këtë turne që zhvillohet në shtëpinë e tyre. Ekipi i Nagelsmann ishte i papërmbajtshëm duke dominuar rivalin e tyre në çdo aspekt.
Brenda 20 minutash realizuan dy gola të shpejtë me Wirtz dhe Musiala. Skocezët mbetën me 10 lojtarë, ndërsa në fundin e pjesës së parë ishte Havertz nga pika e bardhë e penalltisë dërgoi shifrat në 3-0.
Në fraksionin e dytë Fullkrug dërgoi shifrat në 4-0, ndërsa Rudiger më pas devijoi topin në portën e tij duke ngushtuar shifrat në 4-1. Në fund, ishte Emre Can që sigloi shifrat përfundimtare në 5-1.
Paraqitja e ekipit kënaq edhe Julian Nagelsmann, por për trajnerin e Gjermanisë ky është vetëm fillimi: “20 minutat e para ishin impresionuese. Hodhëm në fushë shumë fuqi, bëmë presing dhe ishin të përqendruar deri në fund. Ishte një fillim optimal, por ky ishte vetëm hapi i parë”, theksoi Nagelsmann.
()