Fri, Nov 22, 2024

Propaganda e Kremlinit me “luftërat e Perëndimit”: NATO sulm Rusisë përmes Shqipërisë dhe Kosovës

  • PublishedJune 17, 2024

Nga Alteo Hysi

Në raportin e fundit të monitorimit të propagandës ruse, Task Forca e Posaçme kundër dizinformimit rus, pjesë e shërbimit diplomatik të BE-së thekson se luftërat, veçanërisht ato që u atribuohen të tjerëve mbeten ende një tipar i spikatur i përpjekjeve të Kremlinit për të pikturuar botën me ngjyrat e tij.

Nocioni i ‘Perëndimit’, sipas ekspertëve të “Eu VS DisInfo”, tani është stabilizuar në identitetin dhe botëkuptimin e Kremlinit.

“Në projeksionin e Kremlinit, perëndimi është bërë sinonim për të gjithë ata që kundërshtojnë politikat e Moskës.”

Pak ditë pas kësaj analize, “lufta e perëndimit” shfaqet sërish përmes makinërisë propagandistike që ndërton botëkuptimin rus, këtë herë duke targetuar Shqipërinë dhe Kosovën.

Së fundmi mediumi “Sputnik Serbia”, një prej kanaleve kryesore të propagandës dhe influencës ruse në rajon, shkruan se NATO po punon prej 10 vitesh mbi idenë e një sulmi mbi Rusinë, duke përdorur Shqipërinë dhe Kosovën si korridor ndihmës.

Ljubomir Gjurkoviq, që sipas Sputnik ka shërbyer si komandant i mbrojtjes në Koshare “gjatë agresionit të NATO-s kundër Republikës Federale të Jugosllavisë”, thotë se “synimi i paktit të NATO-s është i qartë – të çaktivizojë Rusinë si superfuqi dhe të sulmojë burimet e saj të energjisë, të cilat janë veçanërisht të bollshme në basenin e Siberisë”.

“Bashkëbiseduesi ynë shpjegon se i ashtuquajturi korridor ballkanik do të niste nga Shqipëria, nga porti i Durrësit, ku amerikanët kanë krijuar dhe po zgjerojnë bazën detare. Normalisht, lidhja tokësore bëhet nëpërmjet ‘Prishtinë-Durrës’, në mënyrë që të lehtësohet transporti i trupave dhe pajisjeve që do të përdoreshin për konfrontimin përfundimtar, pra për sulmin ndaj Rusisë. Një drejtim tjetër që është i mundshëm dhe që kam frikë se do të jetë i realizueshëm është baza detare e portit të Tivarit, e cila do të lidhej me autostradën që shkon në Beograd”, thekson Gjurkoviq.

Sipas tij, gjithçka që ka ndodhur në Shqipëri dhe Kosovë në vitet e fundit, po bëhet për realizimin e këtij plani.

“Vendet e Ballkanit do të ofrojnë korridore për transportin e pajisjeve logjistike, armëve dhe ushtarëve, si dhe mobilizimin e deri në 150,000 njerëzve nga zona e Ballkanit – nga Mali i Zi, Bosnja dhe Hercegovina, Greqia, Shqipëria, të ashtuquajturat Kosova dhe Bullgaria ”, beson Gjurkoviq.

Sipas tij, si pjesë e këtij plani janë edhe përgatitjet në Shqipëri, ku tashmë janë rinovuar në masë të madhe dy baza: njëra në portin e Durrësit dhe tjetra, baza ajrore e Kuçovës, të cilën Shqipëria ia ka ofruar NATO-s.

Artikulli i Sputnik merr shkas nga një shkrim i medias Londineze “The Telegraph”, sipas së cilës NATO po përgatit disa korridore tokësore për dërgimin e trupave amerikane në vijën e parë të frontit në rast të një lufte të madhe evropiane me Rusinë.

Në fakt The Telegraph, shkruan mbi korridoret e mundshme që trupat amerikane do të mund të përdornin si rrugë logjistike për tu përballur në rast të një sulmi të mundshëm nga Rusia. Në asnjë moment, The Telegraph nuk pretendon, e as nuk lë të nënkuptohet për një plan sulmi të NATO-s kundër Rusisë përmes korridorit ballkanik.

Pra sërish propaganda ruse tenton të montojë narrativën e NATO-s si agresor, e aleancës euroatlantike si kërcënim për shoqërinë ruse, ndërsa Shqipërinë e Kosovën si “veglat” e mundshme të një rreziku të tillë. Një narrativë e tillë nuk është e re për mentalitetin e Kremlinit.

Në vitin 2018, Qendra e Komunikimeve Strategjike të NATO-s publikoi një raport që hulumtonte mjetet e influencës së Rusisë në Ballkanin Perëndimor. Projekti identifikoi plot 9 narrativa të promovuara nga Kremlini në rajon përmes artikujve në Sputnik Srbija, dega serbe e agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Sputnik.

Mes tyre, dominonin narrativat se “NATO është agresiv dhe provokativ”, ndërsa “vendet e NATOs si Shqipëria janë të dobëta, të paafta dhe të korruptuara”. Raporti tregon se Shqipëria përdoret nga propoaganda ruse si një ilustrim se si Perëndimi përdor rajonin për të çuar përpara interesat e veta.

Gjatë monitorimit të përmbajtjes së Sputnik Srbija, lidhur me Shqipërinë u identifikuan mbi 300 artikuj nga ku narrativa se “Bashkimi Europian është hegjemonist në rajon”, mbetej ndër më të pëlqyerat. Sputnik portretizonte Kosovën si burimin kryesor të paqëndrueshmërisë në Ballkan.

Kështu, e njëjta fabul përsëritet sërish e ndoshta nuk do të jetë hera e fundit. Reziku dhe lufta që vjen nga NATO, do të mbetet për një kohë të gjatë pjesë e dizinformimit si mjet lufte i Kremlinit.

E vërteta është se NATO, siç vazhdimisht është deklaruar nga zyrtarët e aleancës, nuk kërkon konfrontimin dhe nuk përbën asnjë kërcënim për Rusinë.

Ndonëse Rusia dëshmon kërcënime dhe provokime serioze për sigurinë e vendeve aleate, aleanca rikonfirmon se “do të vazhdojë t’i përgjigjet kërcënimeve rusë në një mënyrë të përgjegjshme”.

Në thelb, NATO nuk është një aleancë agresore, por një aleancë mbrojtëse që syon të mbajë të sigurta vendet anëtare duke punuar për parandalimin dhe mbrojtjen nga veprimet e Rusisë, përfshirë këtu edhe dizinformimin dhe manipulimin e informacionit, që siç do të thoshte shefi i diplomacisë së BE, Josep Borell, është tanimë një çështje e sigurisë europiane.