Ekzekutoi me një plumb në kokë Arian Gosën, dorëzohet në polici Habib Rexha
Është dorëzuar autori që ekzekutoi me një plumb në kokë, Arian Gosën.
Gazetari Igli Çelmeta tha për BalkanWeb së autori, Habib Rexha është dorëzuar në policinë e Kavajës, pas negociatave të policisë me familjarët.
Pas kërkesës së familjareve, Rexha ka pranuar të vetëdorëzohet. Ai ndodhet në komisariatin e Kavajës ku po jep dëshminë e tij.
Para dorëzimit ai ka publikuar edhe një video ku shfaqej me të atin, ku paralajmëronte se shumë shpejt do të vetëdorëzohej.
Kujtojmë ngjarja ndodhi më 21 maj, ku Gosa u qëllua me plumb në kokë në sy të babait të tij, me të cilin kishte dalë për të pirë një kafe.
Më pas Rexha u largua nga vendi i ngjarjes në këmbë.
Motivi pse 31-vjeçari ka ndërmarrë këtë akt të rëndë është hakmarrja. Dy muaj më parë, vëllai i Gosës dhe vëllai i tij u konfliktuan me njëri-tjetrin në mes të Kavajës dhe të dy mbetën të vrarë.
Armand Gosa u konfliktua me Altin Rexhën ku të dy humbën jetën, njëri i qëlluar me armë dhe tjetri me thikë. Pas një sherri për motive banale, Gosa qëlloi me thikë 43-vjeçarin Altin Rexha me origjinë nga Kukësi ndërsa ky i fundit iu përgjigj duke e qëlluar me një pistoletë që mbante me vete. Si pasojë e plagëve të marra, të dy personat e përfshirë në konflikt, ndërruan jetë në spital.
Kavajë
Në vijim të veprimeve kërkimore të kryera nga strukturat e Komisariatit të Policisë Kavajë dhe ato të DVP Tiranë, për kapjen e autorit të vrasjes së shtetasit A. G., të kryer më datë 21.05.2023, ju informojmë se:
Krahas kërkimeve intensive të zhvilluara për kapjen e shtetasit Habib Rexha, strukturat e Policisë negociuan dhe me familjarët me qëllim dorëzimin e këtij shtetasi.
Si rezultat i veprimeve kërkimore, pamundësisë së largimit dhe negociatave me familjarët, shtetasi Habib Rexha u vetëdorëzua në Komisariatin e Policisë Kavajë.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijojnë veprimet hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të kësaj ngjarjeje.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–