Sun, Nov 24, 2024

“Nxit karrierizmin”, Artan Fuga për rritjen e pagave për deputetët: Turp kolektiv! Përfaqësuesit duhet të kenë standard jetese të përafërt me qytetarët

  • PublishedMay 23, 2023

Akademiku Artan Fuga, i ftuar në rubrikën “Opinion” në News24, ka folur mes të tjerash edhe në lidhje me rritjen e pagave për ministrat e deputetët, vendim ky i marrë sot nga Komisioni i Ekonomisë.

Fuga u shpreh se një masë e tillë nuk përkthehet në rritje të cilësisë së punës së deputetëve dhe për pasojë është një vendim i pakuptueshëm.

Ai shtoi se përfaqësuesit e qytetarëve duhet të kenë një standard jetese pak a shumë të ngjashme me qytetarët, ndërsa tha se një vendim i tillë rrit karrierizmin.

“Ka dy parimeve qe i qëndroj besnik. E para është se ka dy mundësi për të bërë politike, duke jetuar për të dhe të jetosh nëpërmjet politikës, pra ta kesh si një mjet fitimi.

Parimi i dytë është përfaqësuesi i qytetarit s’mund të jetojë në distancë ekonomike shumë larg nga qytetari. Duhet të kenë të njëjtat kushte, pak a shumë.

Një rritje e tillë rrogash më duket jo etike, pa asnjë argument.

Turp kolektiv, nëse deputetët mendojnë se rroga e përfaqësuesve të elektoratit, duhet rritur, kjo nuk duhet të bjerë në konflikt interesi.

Deputetët paguhen me paga dinjitoze, do doja të kishin të gjitha mjetet për t’i shërbyer elektoratit, por në mënyrë afrofe një shtim page pa analizuar se çfarë sjell në cilësinë e punës, më duket e pabalancuar. Krijon atë që është një ves i shoqërisë shqiptare, që me politikë i del karrierës përpara.

Në kushtet kur popullsia mban mbi vete kur pasojat e luftës, pasojat e Covidit, në kushtet kur fuqia blerëse e popullit ka pësuar ulje, çmimet janë rritur, ndërkohë nga gjithë shtresat përfitojnë ata që marrin vendimet për veten e tyre. Nxit karrierizmin dhe opozitarizmin. Me këto rritje pagash ndahen edhe më tepër nga elektorati që ka një jetë më të vështirë. Të gjitha më bëjnë të them që është një masë që nuk e kuptoj, nuk rrit cilësinë e punës së deputetit”, tha ai.

Fuga foli edhe në lidhje me situatën politike në vend pas zgjedhjeve të 14 majit.

Ai u shpreh se nevojitet një rotacion politik për të ndryshuar kastën e vjetër të politikanëve.

“Duhet të ketë rotacion, megjithëse në Shqipëri një gjë e tillë ka qenë gjithmonë e vështirë të arrihej.

Ka ardhur koha që opozita pasi hyn në zgjedhje dhe pëson një sërë pabarazish, pabarazitë janë në kode, të propozojnë demokratizimin e sistemit elektoral, të qeverisjes gjithashtu. Nuk mundet që disa struktura të lejojnë avantazhet për forcën në pushtet, dhe kur kemi zgjedhje të themi që shiko se ju kishit këto avantazhe.

Klasa politike në Shqipëri ka 30 vite që nuk ndryshon, është thuajse më e vjetra në të gjithë Europën”, tha ai.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.