Prag sfida me Spanjën, “Tifozat Kuq e Zi” bëjnë njoftimin e rëndësishëm për tifozët
“Dallga kuqezi” prej 50 mijë tifozësh që zëvendësoi “Murin Verdhezi” të Dortmundit në “Signal Iduna Park” dhe më pas shkëlqeu në tribunat e “Volksparkstadion” të Hamburgut, pritet të zhvendoset në Duseldorf të hënën.
25 deri në 30 mijë tifozë shqiptarë përllogaritet të jenë nesër në mbrëmje në stadiumin “Merkur-Spiel Arena” për të mbështetur kombëtaren shqiptare.
Tifozët kuqezi nuk kanë dashur të humbin sfidën historike përballë Spanjës, ku një 3 pikësh do të na dërgonte në fazën e 1/8 për të parën herë në histori.
Ndërkohë siç kanë bërë në çdo prag sfide, “Tifozat Kuq e Zi”, kanë dal me një njoftim të rëndësishëm, sa i takon detajve të organizimit për sfidën e së hënës.
Përveç tifozëve që do të shkojnë individualisht, do të ketë edhe një marshim në grup drejt stadiumit, i organizuar dhe drejtuar nga tifogrupi më i madh pranë kombëtares, Tifozat Kuqezi.
TKZ nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale kanë zbuluar itinerarin që do të ndjekin për të marshuar drejt stadiumit, duke njoftuar se do të grumbullohen fillimisht në “Rheinpark – Düsseldorf” pranë “Klever Straße“.
Marshimi i përbashkët, që edhe në dy ndeshjet e mëparshme është shoqëruar me këngë e valle patriotike, do të fillojë në orën 17:15.