Grupi i trafikut të kokainës nga Kolumbia dënohen me 88 vjet burg
Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar shpalli të martën më 15 qershor vendimin ndaj ish-kryetarit socialist të ish-komunës Frakull në Fier, Viktor Çervanaku dhe 10 personave të tjerë, të akuzuar për trafikimin nga Kolumbia të 485.5 kg kokainë. Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtaret Rudina Palloj, Elsa Ulliri dhe Flora Hajredinaj vendosi të deklarojë fajtorë të 11 të pandehurit dhe i dënoi përfundimisht me 88 vjet e 4 muaj burgim në total. Të pandehurit Nikolin Gjolena, Denilson Çervanaku dhe Klajdi Vrioni alias Klajdi Kodra u dënuan me nga 11 vjet e 4 muaj burgim secili; Viktor Çervanaku me 10 vjet burg; Zenel Çervanaku dhe Redion Meshi me nga 9 vjet e 4 muaj heqje lirie; Enxhi Ferhati, Marildo Rona dhe Bledar Matoshi me nga 8 vjet burgim dhe Julian Malaj me 2 vjet heqje lirie. Malaj është liruar pasi koha e zgjatjes së paraburgimit ishte më e madhe se dënimi i dhënë ndaj tij.
Nga hetimet rezultoi se lënda narkotike është transportuar dhe është fshehur gjatë transportit nëpërmjet një ngarkese me pleh organik artificial, e paketuar dhe ngarkuar në një kontenier, që është transportuar nga Kolumbia në Portin e Pireut, në Greqi dhe më pas në drejtim të Portit të Barit, në Malin e Zi. Nëpërmjet transportit në rrugë tokësore ngarkesa është futur në Shqipëri më 19 shtator 2022 dhe pasi është zhdoganuar në Doganën e Tiranës, është transportuar në fshatin Frakull e Madhe në Fier, ku dhe është kryer sekuestrimi.
Kokaina ka qënë e përzier me “plehun organik” artificial dhe pas mbërritjes së saj në destinacion, organizatorët e trafikut do të gjenin dhe siguronin personat e specializuar që do të mundësonin ekstraktimin e kokainës së pastër, e cila më pas do të tregtohej. Sipas ekspertimit kimik të kryer nga Instituti i Policisë Shkencore ka rezultuar se nga procesi ekstraktimit do të përfitohej një sasi prej 485.5 kokainë.
Të pandehurit Viktor Çervanaku, Nikolin Gjolena, Klajdi Vrioni (alias Klajdi Kodra) dhe Denilson Çervanaku, u akuzuan nga SPAK se ishin personat që kishin krijuar, organizuar dhe drejtuar grupin kriminal. Ata u morën të pandehur për veprat penale “Trafikimi i narkotikëve”, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe“Kryerja e veprave penale nga organizata ose grupi i strukturuar kriminal”.
Të pandehurit Zenel Çervanaku, Enxhi Ferhati, Redion Meshi, Julian Malaj, Bledar Matoshi, Marildo Rona dhe shetasi kolumbian, Samir Rosales Rodriguez u akuzuan si pjesëmarrës në këtë grup kriminal.