Fri, Nov 29, 2024

E bujshme nga Spanja/ AS: Sylvinho mund largohet nga kombëtarja shqiptare

  • PublishedJune 26, 2024

Kampionati Europian i Futbollit që bëri Shqipëria (edhe pse me 3 ndeshje) ka kthyer në modë disa futbollistë të skuadrës kuqezi, por edhe trajnerin e saj, Sylvinho. Braziliani ka të nënshkruar kontratën me kuqezinjtë deri në Botërorin e ardhshëm 2026, por “problemi” është se Sylvinho ka ngjallur interes nga disa klubet evropiane.

Presidenti i Federatës Shqiptare, Armand Duka , siguroi pak ditë më parë se nuk do të ketë probleme për vazhdimin e kontratës së trajnerit ende edhe për dy vite; madje edhe vetë Sylvinho ka dashur të qetësojë disi fansat pas uljes në Tiranë. Para mediave, ai tha: Unë jam pjesë e projektit. Jam shumë i kënaqur me këtë vit e gjysmë që kam punuar.

Por duket qartë se në javët në vijim do të vijojnë ofertat për një trajner që ashtu si ekipi i tij ka dalë plotësisht në vitrinë gjatë këtij Europiani. Pasi vari këpucët si mbrojtës i majtë te Manchester City, 50-vjeçari brazilian filloi rrugëtimin e tij si trajner si ndihmës i bashkatdhetarit të tij Tite, të cilin e shoqëroi në Cruzeiro, Corinthians dhe kombëtaren e Brazilit. Më vonë, ai punoi me Roberto Mancinin tek Interi dhe në vitin 2019 bëri debutimin e tij si trajner në “Olympique Lyon”.

Më 2 janar të vitit të kaluar, Sylvinho u bë trajner i Shqipërisë me synimin për kualifikimin në këtë kampionat europian. Ai e arriti synimin në një grup që përfshinte Republikën Çeke dhe Poloninë. Por duket se interesi për të është shtuar. Kë do zgjedhë Sylvinho?