Thu, Nov 28, 2024

I përkthyer në më shumë se 45 gjuhë, Associated Press: Vdiq në moshën 88-vjeçare romancieri shqiptar me famë botërore, Ismail Kadare

  • PublishedJuly 1, 2024

Romancieri i njohur shqiptar Ismail Kadare ka vdekur pasi u dërgua me urgjencë në një spital në Tiranë, tha të hënën redaktori i tij botues. Ai ishte 88 vjeç.

Kadare është përmendur prej kohësh si një pretendent i mundshëm për çmimin Nobel për Letërsinë.

“Shqipëria dhe shqiptarët humbën gjeniun e letrave, emancipuesin e tyre shpirtëror, Ballkani (humbi) poetin e miteve të tij, Evropa dhe bota (humbën) një nga përfaqësuesit më të njohur të letërsisë moderne”, tha presidenti shqiptar Bajram Begaj në deklaratën e lëshuar nga zyra e tij.

Redaktori i Shtëpisë Botuese Onufri Bujar Hudhri tha se autori i njohur vdiq të hënën në mëngjes. Një infermiere në spital, e cila foli në kushte anonimiteti sepse nuk ishte e autorizuar të fliste me shtypin, tha se ai u dërgua në dhomën e urgjencës pasi pësoi një arrest kardiak.

Kadare u bë i njohur ndërkombëtarisht pas botimit të romanit të tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” në vitin 1963, kur Shqipëria qeverisej ende nga qeveria komuniste e diktatorit të ndjerë Enver Hoxha.

Kadare u largua nga Shqipëria në Francë në vjeshtën e vitit 1990, vetëm pak muaj para rënies së regjimit komunist pas protestave studentore. Ai jetonte në Paris dhe pak kohë më parë ishte kthyer në Tiranë.

Vitin e kaluar, presidenti francez Emmanuel Macron i dha atij titullin Oficeri i Madh i Legjionit të Nderit gjatë një vizite të presidentit francez në kryeqytetin shqiptar. Franca e kishte bërë më parë edhe bashkëpunëtor të huaj të Akademisë së Shkencave Morale dhe Politike, si dhe Komandant të Legjionit të Nderit.

Kadareja është vlerësuar me një sërë çmimesh ndërkombëtare për veprat e tij, të cilat përfshinin më shumë se 80 romane, drama, skenarë, poezi, ese dhe përmbledhje tregimesh të përkthyera në 45 gjuhë.



AlbaniaWeb.net