Thu, Nov 28, 2024

Portugalia dhe Ronaldo e bëjnë dramë, kualifikim mes lotësh, CR7: Ky është Evropiani i fundit, provova emocione të forta

  • PublishedJuly 2, 2024

Lot hidhërimi, por dhe lot gëzimi, Portugalia e bën dramë kualifikimin për në fazën çerekfinale. Në të mirë dhe në të keq, protagonist mbetet gjithnjë ai, C.Ronaldo. Ndryshe nga se pritej, luzitanët vuajtën shumë përballë Sllovenisë, u desh ruleta e penalltive për të vendosur fituesin, në një kohë kur koha e rregullt dhe shtesa u mbyll në barazim pa gola.

CR7 provoi në çdo formë të realizonte, por në shtesë, kur i erdhi në këmbë shansi i artë, ylli portugez gaboi nga pika e bardhë, me Oblak që i kuptoi krahun duke i pritur 11-metërshin. Kaq mjaftoi që Ronaldo të shpërthente në lot. Portugalia ishte dhe me fat, ku në minutat e fundit të shtesë, një gafë e Pepe për pak i kushtoi shtrenjtë, por Diogo Costa bëri heroin duke mbajtur Portugalinë në lojë.

Nga ruleta e penalltive, Ronaldo nuk gaboi duke realizuar, por protagonisti absolut ishte sërish Diogo Costa i cili priti 3 nga 3 penalltitë duke i dhuruar Portugalisë një biletë për në fazën çerekfinale ku do të përballet me Francën.

Në përfundim të ndeshjes, Ronaldo nuk i fshehu emocionet për këtë sukses: “Provova trishtim, por në fund ishte alegri. Ky është futbolli. Kam përjetuar momente të pabesueshme, mund të kaloja në avantazh vendin tim, por nuk ia dola, Oblak u tregua i jashtëzakonshëm. Sllovenia ishte e vendosur mirë, por djemtë dhanë gjithçka, ndërsa portieri ynë u tregua i shkëlqyer. Sigurisht që ky është Evropiani im i fundit, por unë nuk motivohem nga ky fakt, ajo që më motivon është entuziazmi”, u shpreh Ronaldo.

()

AlbaniaWeb.net