Thu, Nov 28, 2024

Merkato/ Juventus e kërkon, por Mitaj ka një tjetër dëshirë: Shqipëria, zgjedhja ime e parë

  • PublishedJuly 4, 2024

Mario Mitaj mbetet në qendër të zërave të merkatos. Anësori i majtë, protagonist me ekipin tonë kombëtar jo vetëm gjatë kualifikueseve të evropianit, por edhe në 3 sfidat e fazës në grupe të Euro 2024, mbetet dëshira e shumë klubeve evropiane.Ditët e fundit emri i tij, po lakohet nga klubi më i titulluar në Itali, Juventus. Drejtuesit e Lokomotivës së Moskës e vlerësojnë kartonin e lojtarit kuqezi 12 milionë euro, ndonëse kjo shifër, të paktën nga drejtuesit e Juventusit, duket e ekzagjeruar. Arsyeja nuk lidhet me cilësitë e Mitajt, të cilin bardhezinjve ia ka sponsorizuar edhe ish-trajneri i Kombëtares Edi Reja, por për faktin që kontrata e tij skadon në vitin 2025, prandaj “Zonja e Vjetër” beson të ulë çmimin në të paktën 7-8 milionë euro.

Nga ana e tij, Mario Mitaj, do të transferohej me vrap në Torino, pasi për të do të ishte hapi më i madh i karrierës dhe do të shtonte koloninë kuqezi në Serinë A. Drejtori Xhuntoli është në punë, pas marrjes së OK-it edhe nga Tiago Mota. Megjithatë së fundmi, është vetë Mitaj, që në një intervistë për “Gazzetta.gr”, ka shprehur pëlqimin e tij, se ku dëshiron të luaj në të ardhmen. “Ekipi im i preferuar është Barcelona. Nëse do të luaj ndonjëherë për të do të ishte një ëndërr e realizuar.

Mendoj se La Liga më përshtatet më shumë si ligë, por nuk i bën keq asnjë lojtari të konkurrojë si në Itali, ashtu edhe në Gjermani. Mendoj se pas dy vitesh në Rusi kam marrë përvojat që doja. Unë jam gati të bëj hapin tjetër nga atje dhe më gjerë, kjo varet edhe nga skuadrat që më shikojnë” A e kam menduar të luaj në kombëtaren greke? Në kombëtaret e vogla kam shkuar edhe në kombëtaren e Greqisë dhe atë të Shqipërisë. Kur firmosa kontratën time të parë me AEK-un e dija që doja të luaja për Shqipërinë”, u shpreh ndër të tjera Mario Mitaj.

()

AlbaniaWeb.net