Sun, Nov 24, 2024

Prokurorja Miranda Bushi shkarkohet nga detyra

  • PublishedMay 25, 2023

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të enjten më 25 maj vendimin për shkarkimin nga detyra të prokurores së Tiranës, Miranda Bushi. Vendimi u mor me shumice votash nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relator Olsi Komicin dhe anëtare Firdes Shulin. Bushi nuk ishte e pranishme në seancën e shpalljes së vendimit, por u përfaqësua nga avokatja e saj, Antoneta Sevdari.

Gjatë seancës dëgjimore më 23 maj, prokurorja Bushi dha shpjegime më së shumti mbi të ardhurat e përfituara nga ajo dhe bashkëshorti në emigracion, përpara se të rifillonte ushtrimin e funksionit – likuiditete që sipas subjektit, kishin shërbyer si burim për të blerë disa pasuri të paluajtshme, për të cilat Komisioni konstatoi pamundësi financiare. Bushi mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës si dhe nuk u evidentuan probleme domethënëse për profesionalizmin.

Miranda Bushi ka punuar si prokurore gjatë periudhës 1992-1998. Më pas ajo i është bashkuar bashkëshortit në emigrim në Itali dhe në vitin 2004 ka filluar punë si kancelare e ish-Gjykatës së Krimeve të Rënda, detyrë që e ka ushtruar deri në 2008-ën. Gjatë viteve 2008-2011 ka mbajtur pozicionin e drejtores së kabinetit të Prokurorit Përgjithshëm dhe në qershor të 2011-ës u emërua sërish si prokurore në Prokurorinë e Tiranës.