Thu, Nov 28, 2024

“Nuk e meritonim të dilnim jashtë”, Nagelsmann flet me trishtim, De la Fuente: Ky ekip do të futet në histori

  • PublishedJuly 6, 2024

Futboll magjik, raste pafund për shënim, gola në limite, VAR. Spanjë-Gjermani rezultoi një super sfidë, mëkati i vetëm që nuk ishte një finale, por emocionet ishin aq të forta, sa në fund i gjithë stadiumi, por dhe miliona tifozë në të gjithë botën, duartrokitën protagonistët e këtij takimi spektakolar. Spanja ishte mbetet dhe një tabu e madhe për Gjermaninë, me “Furinë e Kuqe” që siguroi një biletë për në gjysmëfinale pas një goli të Merino-s në minutën e 120, një fund i denjë për regji filmi.

Dani Olmo, i hedhur në fushë si zëvendësues gjeti prekjen fituese në minutën e 51-të duke kaluar Spanjën në avantazh, por Gjermania i kthehet ADN-së së saj, në limite, në minutën e 89-të Wirtz barazoi shifrat duke e dërguar ndeshjen në shtesë. Ekipi i Nagelsmann bëri gjithçka për të fituar këtë takim, protestuan ashpër te gjyqtari i takimit për një prekje të topit me dorë nga Cucurella, por atëherë kur nuk pritej, Merino me kokë “dogji” Rudiger duke dërguar topin në rrjetë dhe Spanjën në gjysmëfinale ku do të përballet me Francën.

Pavarësisht se ky eliminim ishte shumë i hidhur, Nagelsmann mbajti emocionet duke uruar Spanjën: “I bëj komplimentet e mia që arritën gjysmëfinalen. Ndeshja ishte shumë e hapur në pjesën e parë. Në të dytën ishim më mirë, pas minutës së 60-të ishim qartësisht ekipi më i mirë. Barazimi ynë ishte i merituar. I thash lojtarëve që nuk e meritonim të dilnim nga ky turne”, u shpreh ndër të tjera Nagelsmann.

Shijon këtë kualifikim Luis de la Fuente: “Me punë dhe impenjim arrihen rezultate. Kjo skuadër do të futet në histori. Goli i pësuar në fund ishte një goditje e fortë. Na u desh pak kohë të rifuteshim në lojë, por besuam dhe në fund erdhi goli i Merino-s”, theksoi ndër të tjera Luis de la Fuente.

()

AlbaniaWeb.net