VIDEO/ “Magji” e Spanjës, iberikët në finalen e Europianit, përmbysin Francën në Mynih
Spanja është kualifikuar për në finalen e madhe të Europianit, pasi triumfoi 2-1 ndaj Francës në Allianz Arena (Munich). Sfida nisi me mjaft ritëm të lartë. “Gjelat” zhbllokuan takimin që në minutën e nëntë me Kolo Muani, i cili shfrytëzoi në maksimum krosimin e Mbappe. Iberikët u vendosën në kërkim të golit të barazimit, por hasi mjaft vështirësi, pasi prapavija e skuadrës së Deschamps i kishte marrë masat.
Kylian Mbappe u shfaq në të 18-tën me një rast të rrezikshëm, duke shkaktuar drithërima në stadium. Në minutën e 21-të, Yamal realizoi një kryevepër, duke vendosur ekuilibrat. Goli i përmbysjes erdhi nga Olmo, i cili goditi nga brenda zonës, duke u ndihmuar kështu nga një devijim i Kounde.
Në minutën e 75-të, Theo Hernandez pati një shans të artë, por nga brenda zonës, gjuajtja e mbrojtësit anësor linte për të dëshiruar. Morata me shokë ulën ndjeshëm ritmin e lojës, duke fituar sekonda të çmuara, në fundin e takimit.
Asnjë ndryshim rezultati deri në fund, pavarësisht rasteve. Spanja shkon në finalen e madhe, aty ku do përballet me fituesin e Angli-Holandë. Zhgënjimi i përket krahut tjetër, Mbappe me shokë kthehen në shtëpi përpara kohe.
(J.S/)