Sun, Nov 24, 2024

Zjarret masive në Shqipëri! Greqia na vjen në ndihmë, dërgon për ndihmë në Dropull dy avionë zjarrfikës

  • PublishedJuly 10, 2024

Dy avionë zjarrfikës të tipit Canadair CL-415 të Forcave Zjarrfikëse të Greqisë po asistojnë në operacionin për shuarjen e zjarrit të madh në Shqipëri.

Gazetari i AlbaniaWeb.net, Aleksandër Marku, raporton se avionët që do kenë bazën e tyre në aeroportin e Korfuzit ndodhen tashmë në ishullin grek nga ku u ngritën mëngjesin e sotëm. Dërgimi i avionëve u paralajmërua nga autoritetet më parë.

Mediat greke i japin një vend të madh në portalet e tyre zjarrit të madh që ka shpërthyer në zonën e Dropullit që vijon të djegë sipas tyre në mënyrë të pakontrolluar zonat pyjore dhe kërcënon edhe zonat e banuara.

Prej disa ditësh Bashkia e Dropullit dhe Finiqit po përballet me zjarre masive, të cilat janë përhapur me shpejtësi.

Gjatë pasdites së djeshme ka pasur përmirësim të situatës së zjarrit në fshatin Grapsh në Dropull dhe në fshatin Kardhikaq në Finiq, duke mos shfaqur më rrezik për banorët dhe banesat e fshatrave.

Megjithatë forcat operacionale të Dropullit, Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Memaliajt, Finiqit, Sarandës, Himarës, Delvinës dhe Konispolit vijojnë punën për shuarjen e zjarrit, pasi rreziku për riaktivizimim e vatrave vijon si pasojë e ndryshimit të shpejtësisë së erës.

Forcat e Armatosura dhe helikopteri Cougar po ndihmojnë në shuarjen e flakëve, ndërsa janë shtuar në këtë aksion edhe tre mjete zjarrfikëse të FA.

 



AlbaniaWeb.net