Situata me zjarret në Dropull e Finiq, reagon Ministria e Mbrojtjes: Aktualisht ka vetëm dy vatra aktive, 21 janë shuar
Përmirësohet situata e krijuar nga zjarret në bashkitë Dropull dhe Finiq. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi u shpreh sot se forcat zjarrfikëse, efektivë të FA, me ndihmën edhe të helikopterit po vijojnë punën mbi fshatin Sofratikë, në Dropull.
Në fshatin Kardhikaq, njësia administrative Mesopotam, zjarri është në kontroll, duke mos paraqitur rrezik për banesat, theksoi ministri.
“Në 24 orët e fundit janë raportuar 23 vatra zjarri, nga të cilat 21 janë shuar falë punës së pandërprerë të forcave të emergjencave civile. Aktualisht, mbeten aktive vetëm dy vatra: një në vendin e quajtur Agjioneri, në bashkinë Delvinë, ku po punohet intensivisht për izolimin e plotë të zjarrit, dhe një tjetër në bashkinë Dropull, ku situata është më e qetë, por puna vijon për të shmangur çdo rrezik përhapjeje.
Falënderojmë për angazhimin maksimal 464 efektivë zjarrfikës, dhjetëra efektivë të Forcave të Armatosura, forcat bashkiake, forcat policore, punonjësit e Administratës së Zonave të Mbrojtura dhe të shërbimit pyjor, si dhe forcat vullnetare, të cilët me mjete, ndihmuar edhe nga helikopteri #Cougar dhe 2 #Canadair të ofruara nga Greqia punuan me përkushtim për të shuar flakët në temperatura të papërshtatshme”, shkruan ministri Peleshi.
AlbaniaWeb.net