Sun, Nov 24, 2024

Gjykata urdhëron lirimin nga burgu të Svetlana Timofeeva dhe dy miqve të saj

  • PublishedMay 25, 2023

Gjykata e Elbasanit urdhëroi të enjten lirimin e menjëhershëm nga qelia të dy shtetasve rusë, Svetlana Timofeeva dhe Mikail Zorin si dhe të ukrainasit Fedir Alpatov, pasi Prokuroria e Elbasanit dështoi të vërtetonte akuzat e ngritura ndaj tyre brenda afateve ligjore të hetimit.

Vendimi u mor nga gjyqtarja Matilda Fetau me kërkesë të Prokurorisë së Elbasanit, përfaqësuesi i së cilës konstatoi në sallën e gjyqit se paraburgimi e kishte humbur fuqinë dhe masa e arrestit me burg ishte shuar – duke i dhënë fund sagës 9-mujore të mbajtjes në burg të tre blogerëve të akuzuar për spiunazh.

Megjithatë, gjykata njoftoi se hetimi do të vazhdonte në gjendje të lirë për Timofeevën dhe Alpatov, ndërsa për 23 vjeçarin Mikail Zorin u caktua masa e arrestit shtëpiak. Gjithashtu, Timofeeva dhe Alpatov janë të detyruar të paraqiten 1 herë në muaj në policinë gjyqësore si dhe e kanë të ndaluar të dalin jashtë shtetit.

Nëpërmjet një kërkese të depozituar në gjykatë të mërkurën, Prokuroria e Elbasanit ka vënë në dijeni gjykatën se paraburgimi për të tre shtetasit e kishte humbur fuqinë, ndërsa hetimet paraprake nuk janë përfunduar për shkak ‘të kompleksitetit dhe vështirësive të hetimeve’, ku të dhëna konkrete priteshin nga ekspertime që janë duke u kryer nga agjenci ligjzbatuese partnere.

Svetlana Timofeeva 34 vjeç u arrestua më 20 gusht 2022 së bashku me Mikahil Zorin, 23 vjeç dhe ukrainasin Fedir Alpatov, 24 vjeç, pas një incidenti të ndodhur brenda rrethimit të ish-uzinës së armëve në Gramsh. Zorin kundërshtoi dy ushtarakët që tentuan ta ndalonin dhe përdori spray me piper kundër tyre.

Tre të arrestuarit njihen si blogerë dhe janë pjesë e një subkulture të quajtur “Urban Explorer” apo “Urbex”; të apasionuar për të vizituar dhe fotografuar godina të braktisura, përfshi objekte ushtarake të “Luftës së Ftohtë”.

Megjithatë, prokuroria shqiptare i akuzoi ata për spiunazh dhe pretendoi se treshja kishte ardhur në Shqipëri për të mbledhur informata ushtarake dhe strategjike të sigurisë kombëtare.

Të tre ata i kanë mohuar në vazhdimësi akuzat, ndërsa Svetlana Timofeeva i ironizoi ato si qesharake në një intervistë të shkruar nga burgu për BIRN.