“Keni frikë mos po organizojnë puç për t’ju prerë krahët?”/ Dumani habitet nga pyetja e Açkës: SPAK është institucion i pavarur…
“A keni frikë mos po organizohet një puç për t’ju prerë krahët dhe për t’ju hequr ca pende nga disa që nuk pëlqejnë që ju jeni në piedestal”, ishte pyetja e pazakontë e deputetes demokrate, Flutura Açka drejtuar kreut të SPAK, Altin Dumani, që po raporton sot në Parlament punën vjetore të institucionit që drejton.
I paqartë me pyetjen, kryetari i Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion, theksoi se ky institucion është tërëisht i pavarur.
“Nuk e di çfarë keni parasysh me këtë pyetje. Dua të them që SPAK është një institucion i pavarur dhe korniza e tij kushtetuese garanton pavarësinë e institucionit. Parlamenti pastaj është çështje e vlerësimit të parlamentit. Nuk mund të komentoj veprimtarinë e një institucioni sikurse është Kuvendi”.
Duke treguar se merr shpesh kërcënime, Dumani u shpreh se fokusi i punës së tij dhe SPAK-ut është hetimi i të gjitha rasteve.
“Ajo që unë bëj është që të përpiqemi të hetojmë çështje të suksesshme për ti demonstruar publikut dhe Kuvendit që SPAK po kryen detyrat e veta, po ushtron veprimtarinë kushtetuese, me synim përmbushjen e qëllimit për të cilin u krijuar. Është një luftë që nuk mbaron, por ne po përpiqemi me hapa të ngadaltë, por të sigurt”.
AlbaniaWeb.net