Partizani tenton kualifkimin në Maltë, Shehi kërkon kthesën në ndeshjen e kthimit
Partizani po përgatitet për ndeshjen e kthimit kundër maltezëve të Marsaslok. Të kuqtë barazuan me shifrat 1-1 në ndeshjen si pritëse në “Elbasan Arena” dhe të enjten do të hyjnë në fushë me ritmin e tyre maksimal për të mos i lënë asgjë në dorë fatit.
Në kampin e kuq nuk ka munguar një reflektim i thellë dhe kritik rreth ndeshjes së dobët të zhvilluar në Elbasan. Trajneri Shehi është përpjekur të nxisë sa më shumë grintë te të tijtë për të zhvilluar një ndeshje të një ritmi që maltezët nuk do të mund ta përballonin. Në kampin e kuq me këdo të flasësh, qofshin lojtarë, staf apo drejtues, janë të bindur se në ndeshjen e kthimit do të bëjnë një ndeshje krejt tjetër dhe llogaritë do të jenë të qarta.
Gjelbrim Taipi mund të konsiderohet si mungesë e sigurt për ndeshjen me Marsaslok. Mesfushori ka pësuar një kontraktim në pjesën e kofshës, çka e ka lënë disa ditë pushim dhe ka shtyrë klubin të mos e llogarisë në listë për këto dy ndeshje të turit të parë. Në rast të kundërt Taipi do të ishte një alternativë e fortë për një vend në 11- she në sfidën e dytë, falë eksperiencës dhe volumit që krijon. Mungesa e dytë për ndeshjen e dytë në Maltë është Saliu Sembene. Senegalezi, i cili vazhdimisht është në garë për një vend në 11-she me Prekën apo Bytyçin, ka pësuar një dëmtim në kavilje dhe ka lënë në gjysmë stërvitjen e djeshme në stadiumin e kuq. Mbrojtësi nuk llogaritet për ndeshjen e radhës, teksa do të luftojë të jetë gati për sfidat me Iberia, nëse të kuqtë kalojnë.
Trajneri Shehi, i ndikuar nga kushtet dhe gjendja e lojtarëve, nuk pritet të bëjë ndryshime për sfidën e dytë kundër Marsaslok. Në portë Qirko është bërë i palëvizshëm, me Hoxhën, që qëndron gjithnjë gati. Mbrojtja nuk pritet të ndryshojë me Hadrojn, Prekën, Bytyçin dhe Buxhelajn. Në stol si qendërmbrojtës mbetet vetëm Janjeva, teksa Zuna dhe Zguro janë gati për krahët. Në mesfushë pritet sërish treshja me Rrapajn, Muratajn dhe Maget, teksa as sulmi nuk pritet të ndryshojë. Rifa do të fitojë sërish një fanellë titullari.