Kumbulla rikthehet te Roma, mbrojtësi nis përgatitjet, e ardhmja në udhëkryq
Mes lojtarëve të rikthyer në stërvitje te Roma është edhe Marash Kumbulla. Pas Europianit me Shqipërinë, mbrojtësi do të jetë sërish në dispozicion të Daniele De Rossit, në pritje të zhvillimeve në merkato. Kumbulla, i ardhur nga huazimi i tij te Sassuolo, shprehu gatishmërinë e tij për edicionin e ri.
“Gati për të filluar përsëri! Mezi po pres!” ka shkruar ai në Instagram. Pavarësisht optimizmit të tij, e ardhmja e Kumbullës është larg kryeqytetit pasi ende renditet në mesin e lojtarëve që mund të largohen nga Roma para fundit të merkatos.
Emri i 24-vjeçarit është lidhur shumë së fundmi me një kalim te Parma, skuadër kjo e sapo ngjitur në elitën italiane. Gjithsesi, mungon ende një ofertë zyrtare, situata do të merret me qetësi, për t’u vlerësuar më pas të gjitha propozimet në tavolinë. Largimi nga Italia nuk është një alternativë e mirëpritur, duke qenë se futbollisti preferon të mos largohet nga Serie A.
Lojtari i prapavijës spikati në vitet e para te Verona, ku fillimisht u impenjua me skuadrën Primavera, më pas në ekipin e parë, përpara se të bënte hapin e madh. Gjërat nuk shkuan si duhet, ndikuar këtu nga konkurrenca e madhe dhe nga forma fizike, që nuk ka qenë përherë e duhura.
Vera do të jetë e nxehtë, qëndrimi te Roma është hipotezë e vështirë për Kumbullën, pasi trajneri De Rossi ka të tjera ide për lojën e tij. Kumbulla do të vijojë përgatitjet me skuadrën, deri sa të mësohet e ardhmja e tij.