Shorti i tretë përzgjedh anëtarët e KLGJ dhe KLP nga avokatia
Nënkomisiomi i posaçëm i Ligjeve hodhi të martën shortin e tretë nga i cili dolën emrat e anëtarëve të rinj nga radhët e avokatëve që do të ulen në Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Nga shorti u zgjodhën kandidatët Bledar Bajri dhe Albens Tabaku për Këshillin e Lartë Gjyqësor dhe Erind Mërkuri dhe Erind Gërmenji për Këshillin e Lartë të Prokurorisë.
Të katër kandidatët vijnë nga një karrierë në profesionin e avokatit dhe si lektorë të jurispudencës. Ndërkohë, Mërkuri ka punuar dhe si ekspert ligjor i Kuvendit dhe përfaqësues ligjor i këtij institucioni në Gjykatën Kushtetuese në betejën e PS-së për të shkarkuar ish-presidentin Ilir Meta dhe për të mbrojtur mandatin e deputetes Olta Xhaçka.
Sipas dispozitave ligjore, kjo listë me katër emrat e kandidatëve do të votohet formalisht në seancë plenare, pasi dy listat e para të dala po nga shorti dështuan të marrin 2/3 e votave të deputetëve.
Zgjedhja me short është një zgjidhje e parashikuar në ligj kur dështon konsensusi mes anëtarëve të mazhorancës dhe opozitës në nënkomision për emrat që do t’i shkojnë seancës plenare.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj nga radhët e avokatisë u shoqërua me debate politike, pasi opozita kontestoi raportin e Sekretarit të Përgjithshëm të Kuvendit, Genc Gjonçaj, i cili skualifikoi për mosplotësim të kritereve ligjore disa kandidatë nga lista fillestare e miratuar nga komisioni i pavarur i verifikimit i ngritur pranë Avokatit të Popullit.
Procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të rinj në dy këshillat e lartë të sistemit të drejtësisë parashikon të zgjedhë dhe 2 anëtarë të rinj, një për secilin këshill, nga radhët e shoqërisë civile.
Nënkomisioni diskutoi të martën edhe raportin e Sekretarit të Përgjithshëm për këtë listë.
Gjonçaj ka kualifikuar vetëm dy emra për 2 vendet vakante nga 6 kandidatë që kanë kaluar vlerësimin paraprak, duke bërë që për KLGJ-në të ketë dy kandidatë Erjon Fejzulla dhe Violanda Theodhori, ndërsa për KLP në garë është vetëm Fejzulla.
Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, i cilësoi anti-ligjore dhe absurde arsyetimet për skualifikimin e kandidatëve.
“Absurdi shkon deri aty sa e bën të pamundur aplikimin e procedurës kushtetuese që është hedhja e shortit, duke lënë nga një kandidat në garë”- tha Bardhi, duke e cilësua antiligjor skualifikimin e kandidatëve që kishin fituar vendime gjyqësore për t’u përfshirë në garë.
Por, Gjonçaj, ashtu si dhe në seancat e mëparshme dëgjimore, këmbënguli se kishte zbatuar vetëm dispozitat kushtetuese për të të sjellë në Kuvend një listë emrash që plotësonin kriteret ligjore.
“Nuk është ky proces që t’i gjejmë punë disa personave, por të gjejmë personin e duhur për punën”- tha ai duke sqaruar si e kuptonte ai procesin e verifikimit ligjor të kritereve.
Pas debateve anëtarët e nënkomisionit nuk gjetën dakordësi për të shtuar në listën finale emrat e skualifikuar nga Gjonçaj, duke vijuar procesin vetëm me dy kandidatë për dy vende vakante, i cili pritet të përfundojë në një proces të pamundur të hedhjes së shortit.
Plotësimi i vakancave në dy këshillat është me 6 muaj vonesë pasi mandati i 6 anëtarëve të këshillave që pritet të zëvendësohen nga lista e avokatisë dhe ajo e shoqërisë civile ka përfunduar që në muajin dhjetor.