Thu, Nov 28, 2024

21 Janari në SPAK, Zogaj: Çështja shkoi në vendin e duhur, momenti që drejtësia t’i verë kapak një loje të gjatë kungulleshkash

  • PublishedJuly 16, 2024

Analisti Preç Zogaj i ftuar në Top Talk, tha se regjistrimi i çështjes së 21 Janarit nga SPAK është veprimi më i duhur dhe se ka ardhur koha që drejtësia të zbardhë ngjarjen e plotë.

“Çështja në tërësi kthehet aty ku duhet në vendin e duhur në SPAK. Janë cilësuar tre vepra penale, nuk është një hetim që SPAK e ka nisur kryesisht apo të një kallëzimi penal, i ka rezistuar kërkesave për t’u marrë me këto çështje. Ka ardhur momenti që të zbardhet dhe ata të ndjerët të gjejnë paqe në amëshimin e tyre. Është filmuar dhe është parë nga të gjithë, është momenti që drejtësia t’i verë kapak një loje të gjatë kungulleshkash”, tha analisti.

Sipas Zogajt, para këtij vendimi, drejtësia shqiptare e ka zbardhur në mënyrë të përciptë çështjen.

Pavarësisht se në denoncim përmendet ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës. Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e  21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.



AlbaniaWeb.net