Thu, Nov 28, 2024

Nga Jurgen Klopp te Tuchel dhe Pochettino, ja kandidatët që mund t zënë vendin e Southgate në stolin e Anglisë

  • PublishedJuly 16, 2024

Gareth Southgate, trajneri i kombëtares angleze ka dhënë dorëheqjen e shumëpërfolur pas humbjes 2-1 me Spanjën në finalen e Europianit në Berlin.

53-vjeçarit i skadonte kontrata në muajin dhjetor, pasi ndodhej në këtë rol që prej nëntorit të 2016-ës dhe drejtimit të “Tre Luanëve” në katër turne të mëdhenj, mes tyre në dy finale të Kampionateve Europiane në 2020-ën dhe 2024-ën.

Duke konfirmuar dorëheqjen, Southgate tha se: “Si një anglez krenar, ka qenë nderi i jetës time të luaj për Anglinë dhe të jem trajneri i kombëtares angleze. Për mua ka qenë gjithçka dhe unë kam dhënë gjithçka timen, por është koha për ndryshim dhe një kapitull të ri dhe ndeshja kundër Spanjës në Berlin ishte ndeshja ime e fundit si trajneri i Anglisë”.

Gareth Southgate vërtet ka qenë ndoshta trajneri më i suksesshëm i Anglisë dhe ka arritur rezultate që asnjë trajner tjetër i mëparshëm nuk i ka arritur, por ende nuk i dha dot fund thatësirës për trofe të kombëtares angleze, edhe pas 58 vitesh që nga viti 1966.

Ai është kritikuar se sidomos në Euro 2024 nuk arriti te nxjerrë më të mirën e lojtarëve anglezë që janë ndër më të mirët në botë dhe që vijnë nga kampionati më i ndjekur si Premier League.

Ndër kritikët e tij më të mëdhenj ka qenë ish-ylli i kombëtares angleze dhe prezantuesi i BBC, Gary Lineker. Pas finales, polemika ka qenë mjaft e ashpër nëse duhej ose jo të qëndronte Southgate në krye të Kombëtares angleze.

Sot Princi William e ka falënderuar thjesht si tifoz. Sakaq Federata Angleze ka filluar pa humbur kohë përpjekjet për gjetjen e zëvendësuesit të tij. Pesë trajnerë janë nën radarin e Federatës, mes tyre trajneri i Newcastle United, Eddie Howe.

Ish-trajnerët e Chelsea-it, Thomas Tuchel, Graham Potter dhe Mauricio Pochettino dhe trajneri i U21 te Anglise, Lee Carsley. Edhe pse ne këtë grup më i kërkuari  ka qene ish-trajneri i Liverpoolit, gjermani Jurgen Klopp.

Federata Angleze nuk pritet të japë më shumë informacione deri në emërimin përfundimtar. Kush do që të emërohet do ndodhet përpara misionit titanik të rikthimit të Kupës së Botës ose Europianit në vendlindjen e futbollit, gjë që s’ka ndodhur për gjashtë dekada.



AlbaniaWeb.net