Ndeshja ndaj Egnatias, trajneri i Borac Banja Luka: Jemi gati për kualifikimin e madh
Numri një i pankinës së Borac Banja Lukës, Mladen Zhizhoviç, doli në konferencë në prag të ndeshjes me Egnatian, takim ky i vlefshëm për kualifikueset e Champions.
“Nuk dua të përsëris veten, por kjo ndeshje do të thotë shumë për klubin, lojtarët dhe të gjithë ne që jemi të lidhur me Boracin. Sigurisht, ne e kuptojmë që ka një rëndësi të madhe edhe për ta (Egnatian), duke qenë se synimi i tyre kryesor, sikurse i yni, është ‘play off’-i i Konferencës, por ajo që është e rëndësishme për ne, është që lojtarët të jenë gati dhe se mezi presim të shkojmë në Elbasan dhe të kalojmë këtë tur.
Jemi njohur me të gjitha detajet dhe nuk besoj se do të ketë ndonjë surprizë taktike nga ana e Egnatias, prandaj mund të themi se jemi gati të shkojmë në Elbasan për revanshin. Pres që ata të luajnë me bllok të lartë dhe të përpiqen të sulmojnë që në minutën e parë. Ky është stili i tyre i lojës. Kështu luajtën shumicën e ndeshjeve në sezonin e kaluar në kampionat dhe në Kupë. Neve na takon të bëjmë ndeshjen tonë dhe të arrijmë një fitore tjetër në atë ambient”, tha Zhizhovic.
(J.S/)