Sat, Nov 16, 2024

Pasi regjistroi “21 Janarin”, SPAK thërret bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës më 22 korrik

  • PublishedJuly 17, 2024

Një ditë pasi regjistroi “21 Janarin”, SPAK vendosi të thërrasë më 22 korrik bashkëshorten dhe xhaxhanë e njërit prej viktimave të ngjarjes, Aleks Nikës.

Bashkëshortja e Aleks Nikës, Rajmonda Nika duhet të paraqitet në orën 10:00, kurse xhaxhai i viktimës, Mark Nika në orën 12:00, sipas gazetares së AlbaniaWeb.net, Anila Hoxha.

Ata thirren si persona që kanë dijeni dhe për të dhënë detaje për hetimin.

Pas një viti kundërshtish gjyqësore nga Rajmonda Nika, bashkëshortja e të ndjerit Aleks Nika, SPAK iu bind Gjykatës së Lartë dhe regjistroi “21 janarin” një ditë më parë.

Pavarësisht se në denoncim përmendet ish kryeministri Sali Berisha, ish ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa  emrat e tyre.

Në njoftimin për shtyp SPAK thotë se e regjistroi procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, shpërdorim detyre në bashkëpunim dhe veprime që pengojnë zbulimin e të vërtetës, pasi siç shton Prokuroria e Posaçme dyshohet se mund të jenë kryer nga ish funksionarë të lartë shtetërore gjatë ushtrimit të detyrës. Ashtu siç e urdhëron Gjykata e Lartë SPAK deklarohet kompetent për këto hetime, dhe kërkon të tërheqë fashikujt e  21 janarit pranë Prokurorisë së Tiranës për të zbuluar vrasësit e Aleks Nikës.

Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmend vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.

Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte  ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.

Si probleme të tjera u numëruan fshirja e regjistrimeve të incidentit dhe mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.

Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim – konsideroi Strasburgu.

Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre , të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës.

Por të gjithë familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për tu qëlluar me armë zjarri.



AlbaniaWeb.net