Debati mbi zgjedhjet/ Hila: Beleri, fundërrinë që e kanë futur për provokim. Lubonja: Po veprohet si Enver Hoxha, s’ka demokraci kur shumica fiton 90%
Analisti Dritan Hila i ftuar në studion e emisionit “Open” në News24 ka folur në lidhje me zgjedhjet e 14 majit dhe rezultatin e tyre, teksa është përfshirë në një debat me kolegun Fatos Lubonja.
Hila komentoi çështjen Beleri duke thënë se opozitës duhet t’i vijë turp për të dhe duke e cilësuar si një “fundërrinë që e kanë futur për të provokuar shqiptarët”.
Kësaj deklarate Lubonja i është përgjigjur duke thënë se në këtë rast është vepruar si me njerëzit e Enver Hoxhës duke përdorur policinë dhe drejtësinë kundër tij.
Sakaq, Hila ka vazhduar duke thënë se fitorja e mazhorancës në 14 maj ka ardhur si pasojë e gjendjes së dobët të opozitës, gjë që Lubonja nuk e ka cilësuar si cilësi e një vendi demokratik ku shumica fiton 90%.
Pjesë nga debati:
Hila: Turp t’iu vijë për Belerin, Një fundërrinë që e kanë futur për të provokuar shqiptarët. Beleri nuk ka punë të thërrasë grekun. Latë nam duke e bërë kauzë Belerin.
Lubonja: Po veprohet si me njerëzit e Enver Hoxhës, me polici e drejtësi.
Hila: As grekët nuk flasin kështu si ju. Po ngaqë nuk keni argumenta…
Lubonja: Mos më fol mua ashtu, ti ke qenë ministër, unë jam gazetar.
Hila: Unë kam qenë zëvendës ministër dhe kam dhënë dorëheqjen. Juve është shenjë respekti në gjuhën shqipe. Ti përmende vjedhjen e votave të Belerit.
Lubonja: E dallon dot fjalën argument nga fjala fakt?
Hila: Argumenti bazohet në fakte. Po të isha opozitë serioze do i futesha analizës. Edi Rama ka fituar se opozita është copë copë.
Lubonja: Pse deformon fjalët e mia? Kjo është fyerje e intelektit. Nuk është vend demokratik ku mazhoranca fiton 90%.
Hila: Edi Rama fiton se ka një opozitë të dobët e cila merret me vjedhjen e votave dhe manipulimit kur problemi janë figurat e vjetra politike të cilat nuk votohen nga qytetarët. Kur vjen dhe SHBA e të flet dhe ti thua Rama më vjedh votat, je duke gjetur alibi që ta paraqesësh Berishën në 2025 si frymë të re.
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–