Shokon eurodeputetja rumune: Do sjell një prift, të largojë djajtë nga Parlamenti Europian
Eurodeputetja rumune Diana Șoșoacă i befasoi të gjithë në sallën e Parlamentit Europian me deklaratën se do të sjellë “një prift për të larguar djajtë prej andej”.
Liderja e çuditshme e ekstremit të djathtë rumune S.O.S. Partia e Rumanisë, së fundmi u zgjodh në mandatin e saj të parë si eurodeputete.
Ish ligjvënësja e dhomës së lartë të parlamentit në vendin e saj, fitoi famë në Rumani për qëndrimet kundër emigracionit dhe kundër vaksinave kundër COVID-19, si edhe me sjelljen e saj përçarëse në legjislaturën e Bukureshtit.
“Ashtu si në parlamentin rumun, edhe këtu, djajtë takohen me njëri tjetrin”, është shprehur ajo duke shtuar se : “Do të sjell një prift për të shenjtëruar zyrat e PE-së dhe kudo që të mundem. Është e drejta ime për fenë, për të shprehur besimin tim fetar”, tha ajo. Șoșoacă, që kishte veshur një kostum tradicional rumun në ditën e saj të parë në Parlament, shtoi se kishte marrë me vete një lloj rrëshire aromatike dhe “ikonën e Shën Paraskeva”, një shenjtore nga Ballkani i shekullit të 10-të, në ndërtesë dhe kjo sipas saj, bëri që “menjëherë qëndrimi i të gjithëve të ndryshonte”.
AlbaniaWeb.net