Kolegji Zgjedhor i hap rrugën zgjedhjeve në Himarë, pavarësisht ankimit të Belerit
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi të enjten afatet proceduriale për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme për kryetarin e Bashkisë së Himarës, pasi Kolegji Zgjedhor i miratoi këto afate.
Komisioni Rregullator i KQZ e kishte rrëzuar projekt-vendimin për afatet me argumentin se ka një ankim në gjykatë ndaj dekretit të presidentit për datën e këtyre zgjedhjeve, por vendimi i tij u rrëzua nga Kolegji të mërkurën në bazë të një ankimimi të Partisë Socialiste.
Trupa gjyqësore e përbërë nga Manjola Xhaxho, Nafije Hasko, Sokol Ibi, Marsela Dervishi dhe Edlira Petri, me shumicë votash, vendosi miratimin e afateve për nisjen e fushatës, regjistrimin e partive dhe të kandidatëve, duke njohur kështu ligjshmërinë e shpalljes së këtyre zgjedhjeve.
Në bazë të këtij vendimi, data e nisjes zyrtare të fushatës elektorale është 27 korriku deri në ditën e votimit më 4 gusht, ndërkohë që kandidatët kryesorë për bashkinë, Vangjel Tavo nga Partia Socialiste dhe Petro Gjikuria nga koalicioni opozitar e kanë nisur paraprakisht fushatën e tyre në terren.
Gjikuria u prezantua zyrtarisht si kandidat i partive opozitare, Partia Demokratike, Partia e Lirisë dhe Partia për të Drejtat e Njeriut më datë 17 korrik, gjatë një tubimi elektoral me banorë të zonës. Ndërsa i zgjedhuri i mazhorancës, Vangjel Tavo mësohet se është dorëhequr nga detyra e Prefektit të qarkut Vlorë, ku ishte emëruar nga kryeministri Edi Rama, për t’iu përkushtuar fushatës për kryebashkiak.
Tavo e mbajti këtë detyrë që nga marsi i këtij viti, kur emërimi i tij u cilësua një parapërgatitje e PS-së për t’a kandiduar në bashkinë e vogël bregdetare.
Zgjedhjet e pjesshme në Himarë u shpallën brenda disa orëve në një kordinim vendimesh mes KQZ-së, Kryeministrisë dhe Presidentit të Republikës, procedura që janë kontestuar në gjykatë nga Fredi Beleri, kryebashkiaku i zgjedhur në 14 maj 2023 ndërkohë që ishte në burg i akuzuar për korrupsion në zgjedhje.
Afatet e miratura nga Kolegji Zgjedhor parashikojnë që partitë politike që duan të regjistrohen si subjekte zgjedhore në këto zgjedhje do të paraqesin kërkesat e tyre deri më 22 korrik dhe kandidatët për kryetar bashkie kanë afat deri më 25 korrik të paraqiten në KZAZ me dokumentet e kandidimit.
Ndërkohë, duke nisur nga data 26 korrik deri më 4 gusht që do të mbahen zgjedhjet, bashkia Himarë dhe institucionet e saj të varësisë kanë detyrim që të bëjnë raportim në KQZ për të gjitha veprimtaritë me karakter publik që planifikojnë të zhvillojnë.
Bashkia e lakmuar e Himarës u bë qendër e një konflikti të madh politik, pasi opozita e cilësoi arrestimin e kandidatit të saj Fredi Beleri të nxitur nga arsye politike, ndërkohë që prejardhja e tij greke futi në ngërç dhe marrëdhëniet diplomatike mes Shqipërisë dhe Greqisë.
Ai nuk e ushtroi asnjë ditë detyrën e kryetarit dhe pas vendimit të formës së prerë për dënimin e tij Kreu i KQZ-së Ilirian Celibashi deklaroi ndërprerjen e mandatit të tij.
Beleri ka ankimuar dekretin e presidentit për zgjedhjet e pjesshme, me një kërkesë për pezullim drejtuar Gjykatës Administrative të Tiranës me argumentin se është “në kundërshtim flagrant” me procedurat e Kodit Zgjedhor.
Gjatë kohës që Beleri priste verdiktin e drejtësisë drejtimi i kësaj bashkie ndryshoi disa herë me kryetarë të komanduar nga këshilli bashkiak i kontrolluar nga socialistët, ndërsa dy prej tyre Jorgo Goro dhe Vasil Bollano janë nën hetim për falsifikim apo abuzime me pronat.