Çfarë Ndodh në Organizëm kur Hani Shumë Hudhra
Hudhra është një nga antibiotikët natyralë më të fuqishëm që na ka dhuruar nëna Natyrë.
Përdorimet e saj janë të panumërta, madje gjatë Luftës së Dytë Botërore, ushtarët rusë shëronin plagët me hudhër si pasojë e mungesës së penicilinës.
Hudhra është e mirë kundër infeksioneve por edhe për uljen e tensionit të gjakut apo kolesterolit.
Sidoqoftë si në çdo rast tjetër në këtë botë edhe përdorimi i hudhrës kërkon maturi dhe ekuilibra.
Teprimi i konsumit të hudhrës mund të shkaktojë efekte të dëmshme në organizëm, të cilat do t’i mësoni duke lexuar më poshtë në këtë artikull të AgroWeb.org
Çfarë Ndodh Në Organizëm Kur Hani Shumë Hudhër
Nëse konsumohet pa kriter, hudhra mund të shkaktojë disa efekte anësore të dëmshme.
Rrezik Gjakderdhjeje
Hudhra pengon shfaqjen e trombozës dhe ky është një lajm i mirë për njerëzit që vuajnë nga sëmundjet e zemrës.
Megjithatë, nëse ju merrni hudhër ndërkohë që merrni ilaçe për hollimin e gjakut kjo mund të rrisë gjasat e një gjakderdhje të fortë.
Nga ana tjetër, ekspertët thonë se nëse duhet të kryeni një ndërhyrje kirurgjikale nuk duhet të konsumoni hudhër për të paktën një javë para shtrimit në spital.
Probleme Në Stomak
Nëse konsumoni sasi të mëdha të hudhrës do të vuani nga të përzierat, fryrjet, gazrat dhe probleme të tjera me tretjen.
Nëse keni një stomak të brishtë, kujdesuni që hudhrën ta shoqëroni gjithmonë me ushqime të tjera.
Efekte Të Tjera Anësore
Përpos të tjerave, hudhra shkakton erë të keqe të gojës dhe trupit.
Ajo nxit lodhjen, marramendjen, dhimbjet e kokës, uljen e sheqernave në gjak dhe mungesë oreksi.
Lexoni këtu nga AgroWeb.org si të hiqni erën e hudhrës.
Sasia e Këshilluar e Hudhrës Për Konsum Ditor
Ekspertët sugjerojnë se sasia e lejuar ditore e hudhrës varet nga forma e produktit.
Për shembull nëse ju pëlqen hudhra e freskët nuk duhet të konsumoni më shumë se 5 gramë.
Nëse preferoni ekstraktin e saj, duhet të merrni një sasi prej 600- 1200 miligramë në ditë dhe jo më tepër./AgroWeb.org