Sat, Nov 23, 2024

Gjyqtari Lazer Sallaku shkarkohet nga detyra

  • PublishedMay 26, 2023

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit, KPK shpalli të premten më 26 maj vendimin për shkarkimin nga detyra të gjyqtarit të Gjykatës së Tiranës, Lazer Sallaku. Vendimi u mor në mënyrë unanime nga trupa e KPK e kryesuar nga Pamela Qirko, me relatore Brunilda Bekteshin dhe anëtar Roland Ilian.

Gjatë seancës dëgjimore të mërkurën më 24 maj, u konstatua pamundësi financiare e Sallkut për blerjen e një apartamenti, si pasojë e moskonsiderimit të një vlere 40 mijë euro që ish-bashkëshortja e kishte deklaruar si dhuratë nga nëna e saj, shumë e deklaruar si burim për krijimin e kësaj pasurie. Sallaku i kundërshtoi bilancet negative, si dhe dha shpjegime për mbylljen e çështjes së privatizimit të CEZ Shpërndarje, duke theksuar se vendimmarrja e tij ishte lënë në fuqi nga Apeli. Ndërkohë, ai mori vlerësim pozitiv për pastërtinë e figurës.

Lazer Sallaku ka punuar si avokat përpara se të niste karrierën në sistemin e drejtësisë, si inspektor i Këshillit të Lartë të Drejtësisë në vitin 2007. Ai u emërua gjyqtar në vitin 2010 dhe e ushtroi fillimisht funksionin në Gjykatën e Durrësit. Prej vitit 2013, Sallaku punoi si gjyqtar pranë Gjykatës së Rrethit Tiranë.