Sun, Nov 24, 2024

U ekzekutua pasi vrau policin serb, Ministria e Jashtme: Shenjat e gishtërinjve përputhen me të Faton Hajrizit

  • PublishedJuly 22, 2024

Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës thotë se Serbia ka dërguar shenjat e gishtërinjve të personit të vrarë më Serbi, si i dyshuar për vrasjen e policit në kufi.

Sipas MPJD, ato shenja janë krahasur me shenjat e gishtërinjve të Faton Hajrizit dhe të njëjtat janë përputhur.

Njoftimi i plotë

“Lidhur me rastin e pretenduar nga ana e Serbisë të vrasjes së qytetarit të Kosovës në Serbi, informojmë opinionin publik që sapo jemi njoftuar nga Drejtoria e Bashkëpunimit Ndërkombëtar Policor – ILECU e Policisë së Kosovës se autoritetet serbe, më datë 22/07/2024, kanë dërguar shenjat e gishtërinjve të një personi dhe të njëjtat shenja së bashku me shenjat e gishtërinjve të qytetarit të Kosovës, Faton Hajrizi, janë përcjellë në Agjencinë e Kosovës për Forenzikë, ku pas krahasimit nga AKF, ILECU ka pranuar përgjigje se këto gjurmë i përkasin qytetarit të raportuar si i vrarë, Faton Hajrizi”, njofton MPJD.

Mes tjerash ky institucion ka kërkuar që lajmet nga Serbia të merren me rezerva deri në konfirmimin e plotë.

“Duke lutur opinionin që të gjitha këto lajme nga Serbia të merren me rezervë deri në konfirmimin e plotë të tyre, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës do t’ju mbajë të informuar sapo të ketë informacione të reja në lidhje me këtë rast”, thuhet tutje në njoftim.



AlbaniaWeb.net