Wed, Nov 27, 2024

Ishin mes 120 pengjeve të marra nga Hamasi, gjenden në Gaza trupat e dy izraelitëve

  • PublishedJuly 25, 2024

Trupat izraelite kanë gjetur trupat e dy pengjeve nga sulmi i Hamasit më 7 tetor dhe të mbajtura në Gazë nga ajo kohë, njoftoi të mërkurën radioja ushtarake izraelite, duke cituar një deklaratë nga komunitetet e tyre të quajtura kibbutz.

56-vjeçarja Maya Goren, edukatore kopshti, u vra gjatë sulmit të Hamasit në Nir Oz, njoftoi radioja ushtarake izraelite, një nga komunitetet më të goditura gjatë sulmit vdekjeprurës të Hamasit në Izraelin jugor që shkaktoi luftën shkatërrimtare në Gazë.

Pengu i dytë është 33-vjeçari Oren Goldin, nga zona Nir Yitzhak.

Zonja Goren dhe zoti Goldin ishin në mesin e 120 pengjeve që ende mbahen në Gazë, rreth 40 prej të cilëve Izraeli i ka deklaruar të vdekur në mungesë, bazuar në gjetjet mjekoligjore në vende të ndryshme të sulmit, të dhënave të zbulimit dhe dëshmive nga pengjet e liruara.

Gjatë një fjalimi në Kongresin amerikan të mërkurën, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu tha se qeveria e tij është e angazhuar në mënyrë aktive në përpjekjet intensive për lirimin e pengjeve të mbetura dhe se ai ishte i bindur se këto përpjekje do të kishin sukses.

Një zyrtar izraelit tha të mërkurën se një delegacion izraelit do të marrë pjesë javën e ardhshme në bisedimet për të siguruar armëpushim në Gazë dhe lirimin e pengjeve. Bisedimet janë ndërmjetësuar nga Shtetet e Bashkuara, Egjipti dhe Katari. Hamasi dëshiron arritjen e një marrëveshje armëpushimi për t’i dhënë fund luftës në Gazë. Por kryeministri Netanyahu thotë se lufta do të përfundojë vetëm pas eliminimit të Hamasit. /VOA



AlbaniaWeb.net