Votoi kundër rritjes së pagës për deputetët dhe ministrat, flet Petrit Doda: Qeveria në fillim të kthejë sytë nga shtresa në nevojë, pastaj për administratën
Kuvendi i Shqipërisë miratoi një ditë më parë rritjen e rrogës së deputetëve dhe ministrave, me 95 vota pro dhe 3 kundër, ndërsa nuk pati asnjë abstenim. Një prej deputetëve që votoi kundër, ishte ai i PD, Petrit Doda.
I ftuar sot në rubrikën “Opinion” në News24, ai u shpreh se arsyeja e votës së tij kundër, ishte për shkak se qeveria sipas tij, fillimisht duhet të mendojë për shtresën në nevojë dhe më pas për rritjen e pagës për administratën.
“Kam votuar kundër, sepse qeveria duhej të kishte parashikuar minimumin jetik para këtij projektligji, të mendonte për familjet në nevojë, të indeksonte pensionet, të mendonte për statusin e minatorit…
Të gjitha këto më krijuan bindjen për ta votuar kundër. Unë jam pro për rritjen e pagave, por kjo priste. Shumica e administratës është e politizuar, duke nisur dhe nga qeverisja e PD, por faturat i kanë shkuar buxhetit”, tha ai.
Ndërkohë ai bëri edhe një koment të shkurtër mbi rezultatin e zgjedhjeve të 14 majit, ku opozita ka humbur me një rezultat të thellë.
“Populli kur të sheh të përçarë, nuk e vlerëson shumë. Ky është një faktor që ndikoi. por grupimi Bashkë Fitojmë, pati mbi 50 zona të lira… faktori tjetër është administrata”, tha ai.
Po a sheh ai një bashkim mes grupit të Berishës dhe PD zyrtare?
“Me shpirt e zemër dua të bashkohen, por them se është shumë e vështirë dhe them se përgjegjës janë të dyja palët”, u shpreh Doda.
(BalkanWeb)
Për t’u bërë pjesë e grupit “Balkanweb” mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë.
–