Thu, Nov 28, 2024

Harry: Përçarja me familjen mbretërore ishte për shkak të luftës kundër tabloidëve

  • PublishedJuly 26, 2024

Princi Harry ka folur për “fitoren e tij monumentale” kundër redaktorit të ‘Daily Mirror’ në një dokumentar britanik të transmetuar një ditë më parë.

Princi Harry fitoi gjyqin në dhjetor 2023, por kurrë nuk ka folur për këtë rast deri më tani. Në programin ‘Tabloid on Trial’ të ‘ITV’, Harry tha:

Të shkonim atje dhe të dëgjonim gjykatësin në favorin tonë ishte padyshim e madhe… Ishte një fitore monumentale.”

Ai foli gjithashtu se si vendimi i tij për t’u përballur me tabloidet e Britanisë së Madhe përmes gjykatave britanike kontribuoi në përçarjen mes tij dhe familjes së tij, duke qenë se babai i tij, Mbreti Charles, e kishte paralajmëruar të mos përballej me mediat britanike.

I pyetur nëse vendimi i tij e kishte shkatërruar marrëdhënien e tij me familjen, Harry u përgjigj: “Po, ky është sigurisht një element qendror. Por, e dini, është një pyetje e vështirë për t’u përgjigjur, sepse çdo gjë që them për familjen time provokon një lumë abuzimi nga shtypi.”

Dhe vazhdoi: “E kam bërë të qartë se kjo është diçka që duhet bërë. Do të ishte mirë nëse do ta bënim si familje. Unë mendoj, përsëri, nga një këndvështrim shërbimi dhe kur je në një rol publik, këto janë gjërat që duhet të bëjmë për të mirën më të madhe. Por, e bëj për arsyet e mia”.

Në autobiografinë e tij, ‘Spare’, Princi Harry tha se Mbreti Charles e paralajmëroi atë se përballja me mediat britanike ishte një “mision vetëvrasës” pasi Harry tha se ishte ende duke ndjekur çështjen e tij. Ndërkohë, vëllai i Harryt, Princi William pranoi një marrëveshje të paspecifikuar, të pazbuluar në atë kohë, nga botuesi i gazetës Sun për një ankesë për hakerim telefonik që ndodhi disa vite më parë. Princi William thuhet se ka marrë një shumë të madhe në vitin 2020 nga perandoria e gazetave të Rupert Murdoch.

Princi Harry, megjithatë po përballet me një sërë padish. Pas fitores së tij në gjykatë kundër gazetave Mirror Group, Harry po ndjek penalisht botuesit e The Sun dhe Daily Mail për përdorimin e mjeteve të paligjshme për të marrë informacion. (Të dy botuesit i kanë mohuar akuzat kundër tyre.)

I pyetur se çfarë mendon për vendimin e familjes mbretërore për të mos luftuar siç bëri ai, ai u përgjigj: “Mendoj se gjithçka që ka ndodhur u ka treguar njerëzve se cila është e vërteta e çështjes. Për mua, misioni vazhdon, por ka shkaktuar, siç edhe ju thatë, një krizë në familjen tonë.”

Një gjykatës vendosi që 15 nga 33 artikujt e gazetave të Mirror Group ishin rezultat i hakerimit të telefonit të Harryt.